Kreu i Shtetit apelon për një strategji të re për t’u mësuar shqip fëmijëve që jetojnë jashtë vendit.
Mesazhin Presidenti i Republikës Bajram Begaj e dha nga Gjirokastra ku mori pjese ne konferencën shkencore kombëtare “Gjuha Shqipe- identiteti ynë” organizuar nga shoqata atdhetare kulturore “Labëria” dhe Universiteti “Eqrem Çabej”.
Kreu i Shtetit foli për ruajtjen dhe pasurimin e Gjuhës Shqipe.
“Është detyrë parësore kombëtare mbrojtja dhe promovimi i gjuhës shqipe, ashtu si kanë bërë të parët tanë, është detyrë e jona sot që ti lëmë trashëgimi fëmijëve tanë një gjuhë të pasur, të pasuruar me standarde dhe të mbrojtur nga huazimet e kohës që po jetojmë, si kanë bërë arbëreshët për më shumë se 5 shekuj më parë, si ka bërë diaspora e re e cila ka më shumë se 30 vite duhet të bëjmë edhe ne për të forcuar standardet e gjuhës shqipe”, tha ai.
Në konferencë u theksua roli i gjuhës shqipe si shtyllë e identitetit tonë kombëtar dhe kulturor.
Gjithashtu u soll në vëmendje kontributi i personaliteteve të shquara të gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës nga trojet shqiptare dhe diaspora.

