Enkelejd Alibeaj ka folur për gazetarët pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në selinë blu.
Ndërsa bëri të ditur se veç deputetëve që ishin të pranishëm fizikisht në mbledhje, kishte edhe nga ata që ishin të pranishëm online , Alibeaj tha për mediat se nga mbledhja dolën në përfundimin se mazhoranca nuk ka legjitimitet për një sërë arsyesh për të vendosur për presidentin.
Për këtë arsye, sipas tij, opozita e ka për detyrë të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, pasi “përfaqëson së paku gjysmën e shqiptarëve.”
“Lidhur me draftin, ka sintetizuar ndjeshmëritë dhe idetë e të gjithë deputetëve. Është e udhës që të kemi mundësinë dhe kohën për ta studiuar çështjen.. Nga kjo mbledhje, doli që kjo mazhorancë nuk ka legjitimitetin për të vendos për Presidentin, tre deputetë non grata, deputetë pas hekurave, raportin e OSBE për masakrën elektorale. Kjo situatë duhet ta bëjë të mendohet këdo. Duhet të marrim pjesë si detyrim moral, politik për të përfaqësuar së paku gjysmën e shqiptarëve.
Deputetët ranë dakord për pak gjëra por të rëndësishme. Të marrin pjesë në proces për të hequr çfarëdolloj gjurme të hidhur të së shkuarës kur u shmangeshim sfidave…Ndryshimeve të 2008, të kushtetutës në raundin e katërt dhe të pestë të zgjidhet me 71 vota. Duhet të ketë pjesëmarrje substanciale e opozitës në tre raundet e para…”
Ndërsa theksoi se askush nuk e shkarkuar nga detyra e tij dhe se vijon që të jetë kryetar i komanduar i PD-së, Alibeaj tha se 22 deputetët që ishin të pranishëm në zgjedhje e kanë aprovuar draftin e përgatitur të cilin pritet ta paraqesin si propozim tek mazhoranca.
“Nuk më ka shkarkuar askush. Mua më kanë shkarkuar disa herë, një herë në dhjetor, janar, ca herë në shkurt. Unë jam kreu i grupit parlamentar, i zgjedhur në mbledhjen e këshillit kombëtar, pjesë e të cilit ishte edhe grupi parlamentar, ai zyrtari. Unë s’jam në test nga askush. Unë bëj detyrën time si ushtrues i kryetarit të Partisë. Me sforco, të gjithë deputetëve dua t’u krijoj maksimumin e komoditetit për të dhënë një mendim.” /abcnews.al/