Presidentët e Superligës presion policisë për kthim në stadium

schedule16:55 - 28 Gusht, 2018

schedule 16:55 - 28 Gusht, 2018

Presidentët e Superligës dalin kundër Policisë së Shtetit për sigurinë në stadiume. Pas Safet Gjicit të Kukësit, edhe presidenti i Skënderbeut, Takaj, kërcënon me bojkot.

Ndaj pushtetit mund t’ia dalin më të fuqishmit.

Presidentët e klubeve të futbollit të Superligës, duket se po i bien ndesh edhe një herë vullnetit të politikës, këtë herë për garantimin e sigurisë në stadiume.

Pasi e sfiduan me sukses në zgjedhjen e presidentit të Federatës, Dukës, disa muaj më parë, janë të vendosur të kthejnë mbrapsht vendimin për largimin e Policisë së Shtetit nga stadiumet.

Pas presidentit të Kukësit, Gjici, ja edhe reagimi i numrit 1 të Skënderbeut, Ardian Takaj.

“Ne investojmë për futbollin shuma shumë të mëdha dhe të prishet gara për hir të disa njerëzve të papërgjegjshëm është shumë e rrezikshme për ne që merremi me këtë punë. Prandaj jam dakord me atë që ka thënë Gjici dje dhe i bashkohem apelit të Gjicit për këtë. Jam gati që nesër që të bojkotohet kampionati”, thotë Takaj.

Cili është shqetësimi i kreut të kampionëve?

“Unë e di sa i kanë kapacitetet të gjitha klubet shqiptare për ta përballuar me steëard. U bëj thirrje këtyre që rrijnë edhe presin të bëhet ça të bëhet. Por të çohen sa nuk është vonë. Ka një kosto shumë të madhe dhe në fund asnjë nga këto kompanitë me steëard nuk mund ta përballojnë dhe të marrin përsipër edhe riskun. Policia e Shtetit është në zbatim të ligjit dhe në qoftë se kthehet ligji dhe të funksionojë siç ka qenë më parë atëherë do kalojë në rrjedhën normale sepse nuk është momenti në Shqipëri për hequr policinë nga stadiumi”, sipas Takajt.

Një ditë përpara tij, Gjici ishte shprehur kështu.

“Jam shumë dakord që të gjithë presidentët e klubeve të Superligës, por edhe ata që janë në Kategorinë e Parë duhet të bllokojnë kampionatin nëse policia nuk kthehet tek siguria e stadiumeve”, tha Gjici.

Duket se ka një bashkëpunim mes klubeve të Superligës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, që Policia e Shtetit të vihet nën presion, dhe po ashtu parlamenti përsa i përket Ligjit të Sportit.

Disa ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i Federatës, Shulku, i dërgoi një letër Policisë së Shtetit, ku i kërkoi kthimin në stadium./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!