Joe Biden ka deklaruar përsëri se është i sigurt për fitoren kundrejt rivalit të tij Donald Trump.
Kundërshtari demokrat ka 253 nga 270 votat e Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të fituar. Biden kryeson në fushat e betejës në Xhorxhia, Nevada, Pensilvania dhe Arizona, raporton The Guardian.
Ndërsa numërimi hyn në ditën e pestë, është ende e paqartë se kur do të përfundojë gara.
Zyrtarët janë ende duke numëruar votat postare për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke shkaktuar vonesën më të gjatë në një rezultat të zgjedhjeve presidenciale në 20 vite.
Çfarë ka deklaruar Biden?
“Ne do të fitojmë garën,” u tha Biden mbështetësve në Wilmington, Delaware, të premten në mbrëmje, së bashku me Kamala Harris.
Ai tha se ishte në rrugën e duhur për të fituar më shumë se 300 vota të Kolegjit Zgjedhor dhe theksoi se më shumë njerëz kishin votuar për fushatën e tij – mbi 74 milion njerëz – sesa çdo kandidat presidencial i SHBA-së në histori.
Biden tha se amerikanët i kishin dhënë atij një mandat për të trajtuar pandeminë e koronavirusit, ekonominë, ndryshimin e klimës dhe racizmin sistemik. Të premten për të tretën ditë radhazi SHBA ka shënuar më shumë se 127,000 raste të reja.
“Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq, ne jemi amerikanë”, tha Biden, i cili nuk përmendi kundërshtarin e tij republikan, Trump.
Fjalimi i Biden fillimisht ishte planifikuar si një fjalim fitore, por ai vendosi të jepte një azhurnim të përgjithshëm mbi gjendjen e garës pasi rrjetet televizive të SHBA nuk e shpallën atë fitues.
Demokrati tha se shpresonte të mbante një fjalim përsëri të shtunën.
Çfarë do të ndodh më pas?
Biden – i cili kandidoi dy herë më parë për Shtëpinë e Bardhë, në 1988 dhe 2008, por pa sukses – do të ishte presidenti më i vjetër në detyrë, 78 vjeç.
Nëse ai shpallet fitues këtë fundjavë, ekipi i tij pritet të fillojë procesin e tij të tranzicionit të hënën. New York Times raporton se Biden mund të shpallë zyrtarët e parë të lartë në administratën e tij të mundshme që nga java tjetër.
Shërbimi Sekret ka dërguar përforcime në Delaeare për të rritur sigurinë ndaj Biden. Administrata Federale e Aviacionit ka kufizuar fluturimet mbi hapësirën ajrore të Wilmington.
Por Trump nuk do t’a pranojë kaq lehtë humbjen.
“Joe Biden nuk duhet të pretendojë padrejtësisht zyrën e Presidentit,” shkroi ai të premten pasdite. “Mund ta pretendoj edhe unë diçka të tillë. Procedimet ligjore sapo kanë filluar!”
Trump ka bërë pretendime të pabazuara se zgjedhjet po manipulohen. Që nga viti 1896, çdo kandidat presidencial ka pranuar humbjen ndaj fituesit. Por nuk ka asnjë ligj ose kërkesë kushtetuese për ta bërë këtë, transmeton abcnews.al
Kushtetuta megjithatë thotë se një president i ri i zgjedhur do të marrë automatikisht detyrën në mesditën e 20 Janarit pas zgjedhjeve.
Si paraqitet gjendja brenda Shtëpisë së Bardhë?
Presidenti Trump është i zemëruar dhe i zhgënjyer që shumë aleatë të tij nuk po mblidhen duke mbajtur anën e tij në televizione ose në rrugë, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Ai ka qenë duke parë televizion, duke marrë telefona në zyrat e fushatës dhe ka shpenzuar kohën e tij midis Zyrës Ovale dhe rezidencës. Disa këshilltarë nuk u paraqitën në punë dhe Shtëpia e Bardhë u përshkrua si “shumë e zbrazët” me një gjendje shpirtërore të rënduar.
Përveç kësaj, Shefi i Shtabit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, 61 vjeç, rezultoi pozitiv me koronavirus .
Një këshilltar i jashtëm i presidentit e përshkroi gjendjen e tij të premten si “të mërzitur por edhe shpresëdhënës”. Burimi shtoi se Trump “ishte i fundit që mendoi se mund të fitonte në 2016”, pavarësisht se këshilltarët e tij i thanë se do të fitonte.
Cili është rezultati?
Biden udhëheq Trump me më shumë se 4 milion vota nga një rekord prej 145 milion votash. Por rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së vendosen nga Kolegji Zgjedhor dhe gara është shumë e ngushtë në fushat kryesore të betejës.
Biden ka siguruar 253 vota, ndërsa Trump 214. Për të fituar Shtëpinë e Bardhë, një kandidat ka nevojë për 270 vota elektorale. Në Pensilvani, vendi i lindjes së Biden, ai është përpara me gati 29,000 vota, me 99% vota të numëruara. Nëse fiton 20 votat e Kolegjit Zgjedhor, Biden do të fitojë zgjedhjet.
Zyrtarët lëshuan një deklaratë të premten duke thënë se “shumica dërrmuese” e votave postare dhe atyre që mungonin tani ishin numëruar. Sidoqoftë ata nuk thanë kur do të përfundojë numërimi.
Shteti i Rust Belt ka qenë gjithmonë pro demokratëve. Në Georgia, Biden aktualisht po udhëheq me më shumë se 7,000 vota dhe 99% të votave të numëruara. Sekretari i shtetit tha se do të bëhej një rinumërim sepse diferenca ishte aq e vogël.
Georgia (16 vota elektorale) është një shtet tradicionalisht republikan dhe nuk është fituar nga një demokrat në një garë presidenciale që nga viti 1992.
Biden kryeson me më shumë se 22,000 vota në Nevada (gjashtë vota elektorale) dhe me më pak se 30,000 në Arizona (11 vota elektorale).
Trump kryeson në Karolinën e Veriut (15 vota elektorale) me më shumë se 76,000 vota. s.ba/abcnews.al