Votimet në Maqedoninë e Veriut tashmë janë mbyllur zyrtarisht. Pjesëmarrja në votime ka qenë 48 për qind. Analisti Mentor Nazarko në një intervistë në “Edicioni Qendror” në ABC News, analizoi ecurinë e këtyre zgjedhjeve, duke u ndalur edhe tek ndërhyrjet e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
“Me siguri ëndrra do të ndërpritet sot. Por kjo nuk do të thotë që pjesëmarrja nuk ka domethënie. Prej zgjedhjeve presidenciale të sotme do të shihet se si janë të rreshtuar palët. Duket qartë ka rritje në raport me zgjedhjet e fundit presidenciale. Kjo rritje favorizon ato që duan ndryshimin. Mendoj që në finale do të jenë kandidatët maqedonas”, u shpreh Nazarko.
Gjatë kësaj interviste Nazarko, nënvizoi se kryeministri Kosovës Albin Kurti, ka refuzuar thirrjen e Perëndimit.
“Zoti Kurti ka refuzuar thirrjen e Perëndimit që të mos përfshihet në këto zgjedhje. Shqipëria e ka respektuar, ndërsa Kurti e ka refuzuar. Edhe ka marrë pjesë në zgjedhje, por edhe ka thënë se nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. Kurti e bën sipas një skeme që ne e kemi parë me Berishën., Kurti i gjendur nën trysninë perëndimore synon të rrisë peshën e vet negociale duke treguar që ka në dorë fatet e Maqedonisë së Veriut. Por duket qarta që Kurti ka favorizuar përçarjen e shqiptareve dhe në këtë mënyrë ka dobësuar rolin e tyre”, u shpreh Nazarko.
/abcnews.al/