Presidenca: Kosova s’mund ta garantojë lirimin me kusht për Thaçin dhe të tjerët

schedule14:30 - 5 Maj, 2021

schedule 14:30 - 5 Maj, 2021

Këshilltari i presidentes, Vjosa Osmani, Bekim Kupina është shprehu se Republika e Kosovës s’mund të garantojë për lirimin me kusht të Thaçit dhe të tjerëve. Kupina në një përgjigje për T7 ka thënë se gjyqtari i Dhomave të Specializuara ka përmendur një shtet të tretë dhe se Kosova në asnjë interpretim nuk mund të konsiderohet shtet i tretë.

“Çështja e garancës është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. E njëjta është themeluar nga vetë Kuvendi i Kosovës si dhe vepron në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.”

Ndërkaq, Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantues për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

Kryeziu ka thënë se garancia nuk kërkohet as nga shteti amë, në këtë rast Kosova, e as nga kryeministri i shtetit amë nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion.

“Gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen “shtete të treta” të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por Kosova nuk është “shtet i tretë”, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës. Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu.

Po ashtu Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanovic ka demantuar shkrimet në media në Serbi se kinse ai i ka ofruar garanci Hagës për t’i mundësuar ish-presidentit të Kosovës, Hashimi Thaçi që të mbrohet në liri. Thaçi po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak. /abcnews.al/