Gjenerali Dedë Prenga tha për War Report se Irani ka raketa me rreze më të madhe veprimi, por ende nuk ka informacion të saktë për distancën. Prenga shtoi se pikat e paraqitura nga palët janë të vështira për arritjen e marrëveshjes.
“Informacionet kanë qenë që kapaciteti më i madh i rrezes ka qenë 2500 km. Nuk mund të thuhet diçka e tillë kur është e vështirë të merret informacion; për fatin tonë jo të mirë, informacioni i rremë lëviz me shpejtësi marramendëse. Të dyja palët nuk kanë arritur intensitetin maksimal me veprimet e tyre.
Irani ka raketa me rreze më të madhe veprimi; unë do të uroja që vetëm këtu të mos presim të vërtetohet me fakte. Urojmë që palët të ulen, pavarësisht se pikat që dolën ndoshta duhet të ripunohen gjatë bisedimeve ose duket e largët arritja. Të dy palët mbajnë standarde të larta në kërkesa për të arritur atë që duhet.”
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare Ledion Krisafi tha se një raketë e rënë në Dimona të Izraelit ka treguar kapacitete shqetësuese dhe të vështira për t’u kapur nga sistemet antibalistike.
Sipas tij, kjo raketë është atipike dhe hipersonike, me trajektore të paparashikueshme, çka e bën shumë më të rrezikshme se raketat balistike tradicionale.
“Gjithmonë ka pasur dyshim për distancën që mund të arrijnë raketat iraniane. Duke nisur nga Lindja e Mesme, ekziston një sistem i dendur programesh antibalistike që mund të kapin një raketë të tillë; kjo raketë ka si veçanti distancën. Një raketë e hedhur në Dimona të Izraelit është ndër më interesantet që ka Irani dhe njëkohësisht kërcënuese.
Raketat balistike kanë një trajektore të caktuar dhe kapen nga sistemet mbrojtëse. Para dy ditësh, në Dimona, në jug të Izraelit, ku ndodhen objekte bërthamore, ka rënë një raketë që nuk është kapur nga sistemet. Është një raketë balistike atipike, me trajektore të pacaktuar, gjë që e bën të vështirë të kapet; është hipersonike, pra lëviz me një shpejtësi pesë herë më të madhe se ajo e zërit.” / abcnews.al /


