Konsiderohet si kampionati më i bukur dhe më i fortë në botë. Por sezoni 2025/2026 pritet të jetë më i forti në histori.
Të paktën këtë thonë parashikimet për edicionin e ri të kampionatit anglez, që si kurrë më parë nis me pesë skuadra që kanë fituar të paktën një trofe në sezonin e fundit: Liverpool titullin kampion, Crystal Palace, Kupën e Federatës dhe Superkupën e Anglisë, Njukasël, Kupën e Ligës, Tottenham, Europa Leagu dhe Chelsea, Conference League dhe Botërorin e Klubeve.
Një fakt që projekton një garë të fortë në Premier League, megjithëse duke qëndruar në lëmin e parashikimeve Liverpool mbetet skuadra për t’u mundur.
“The Reds” shihen si favoritë për të mbrojtur titullin kampion, që e fituan pas një dominimi në sezonin e shkuar.
Kuotat e skuadrës së drejtuar nga Arne Slot janë rritur pas merkatos së verës, ku Liverpool ka shpenzuar rreth 350 milion euro dhe duke fituar me meritë titullin e “Mbretit” të transferimeve.
Sipas agjencisë “Opta”, të kuqtë kanë pak më shumë se 29% shanse për të përsëritur triumfin me titullin kampion në Angli.
Ashtu si edicionin e shkuar, riavalët e mëdhenj të Liverpool janë Arsenal dhe Manchester City.
“Topçinjtë” kërkojnë të kthehen te titulli pas një pritje që zgjat më shumë se dy dekada, ndërsa edhe skuadra e Guardiola si gjithmonë i ka të larta kuotat në garën për titull.
Ajo që bie në sy është rikthimi si pretendent i Chelsea, pas disa sezonesh zhgënjyese. Triumfi në Conference League dhe sidomos ai në Botërorin e Klubeve, ka amplifikuar besimin e Bluve të Londrës.
Pesëshja e parë e pretendentëve në këtë sezon të Premier Leagua mbyllet me Njukasëll, ndërsa një tjetër edicion tranzicioni pritet për dy gjigandë të tjerë të futbollit anglez si Manchester United dhe Tottenham.
Pavarësisht këtyre projektimeve, e sigurt është që Premier League pritet të jetë spektakolare, ndërsa sfidat në Shqipëri do të transmetohen nga platform Digitalb-Supersport.

