Doris Crippen, 73 vjeç, u diagnostikua me koronavirus në maj dhe për shkak të gjendjes së saj të vështirë shëndetësore, u rrëzua dhe theu krahun duke përfunduar në urgjencë. Pasi la spitalin ku qëndroi për 30 ditë, Doris u drejtua në një qendër mjekësore për të rehabilituar krahun, shkruan CNN.
Pikërisht në këtë qendër, mori një surprizë që nuk e priste kurrsesi. Bev Boro, 53 vjeç, është një nga punonjëset që punon aty prej 22 vitesh. Ajo dalloi emrin në letrat e pacientëve dhe menjëherë kuptoi se bëhej fjalë për motrën e saj.
“Nuk mund ta besoja. Thashë thjesht, ‘Oh Zot, kjo është motra ime’,” tha ajo për mediat.
Të dyja gratë kanë të njëjtin baba, por nëna të ndryshme dhe nuk janë takuar prej 53 vitesh, që pas kohës kur u ndanë kur Bev ishte e vogël. Doris jetonte asokohe me nënën e saj, por Bev dhe katër nga 14 motrat e tyre u morën nga shteti dhe u vendosën në shtëpitë e fëmijëve për birësim.
Doris është përpjekur në të kaluarën të gjejë motrat, por ka dështuar. “Është e mrekullueshme,” tha ajo. “Nuk kam menduar kurrë se do ta gjej sërish”. Edhe Bev nga ana tjetër ishte përpjekur të bashkohej me motrat dhe vëllezërit e tjerë.
“Ishte bekim i Zotit që u dërgova këtu, në qendrën e rehabilitimit, sepse nëse nuk do kisha ardhur këtu, nuk do ta gjeja,” u shpreh Doris./abcnews.al