GJIROKASTËR- Prej më tepër se një dekadë, i është përkushtuar mbledhjes së bimëve apo frutave ndryshëm, me të cilët krijon prodhime 100 për qind bio.
Mimoza Duka nga Lunxhëria e Gjirokastrës thotë se këtë traditë e ka të trashëguar nga nëna e saj. Vështirësitë për mbledhjen e bimëve apo frutave janë të mëdha, ndërsa edhe vjelja e tyre ka mënyrën dhe kohën e vet.
Jo pak herë ka qenë pjesëmarrëse në mjaft panaire kombëtare dhe ndërkombëtare ku është vlerësuar edhe për punën e saj. Mimoza thotë se interes mjaft të lartë për produktet që prodhon kanë shfaqur më së shumti shtetasit e huaj.
Edhe pse është një linjë pune e vështirë, Mimoza thotë se po ruan traditën e familjes dhe këtë po e trashëgon tek vajza e saj.
Zona e Lunxhërisë dallon për klimën e veçantë ndaj dhe bimët medicinale konsiderohen si më të frytshmet e me tepër vlera, jo vetëm në rajonin jugor, por edhe në mbarë vendin./abcnews.al