Prapaskenat për trajnerin e Kombëtares Reja

schedule21:38 - 27 Prill, 2019

schedule 21:38 - 27 Prill, 2019

Françesko Guidolin dhe Alberto Xakeroni ishin kandidatët e tjerë italianë për stolin e kombëtares. Xakeroni kërkoi një rrogë të pamundur për buxhetin e Federatës, prej 150 000 eurosh në muaj.

Ishin paratë, por edhe mënyra e sjelljes që vendosën për trajnerin e ri.

Edoardo Reja është tashmë i konfirmuar dhe i prezantuar në stolin e kombëtares, veçse presidenti i Federatës, Armand Duka, u detyrua të bisedonte dhe të mendohej shumë.

Dy kandidatë të tjerë italianë ishin edhe Alberto Xakeroni dhe Françesko Guidolin, emra të njohur të trajningut nga vendi fqinj.

Xakeroni, me përvojë në drejtimin e kombëtareve, pasi ka qenë tek Japonia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishte I pamundur për t’iu afruar.

Burime në Komitetin Ekzekutiv bëjnë me dijë për Abc News-in se 66-vjeçari kërkoi minimalisht 150 000 euro në muaj, shifër krejtësisht e pakëndueshme për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Rroga e pretenduar nga Zakeroni mund të quhet normale për një trajner që ka dalë kampion i Italisë me Milanin, dhe ka drejtuar Juventusin apo Interin, pa përmendur skuadrat e tjera më të vogla.

Guidolin tregoi kontaktin me Dukën, ndërsa foli për mediat italiane.

Njeriu I dashuruar me biçikletën nuk foli për aspektin financiar, por la të nënkuptohej se nuk ishte i bindur me potencialin e kombëtares kuqezi.

68-vjeçari ka një karrierë të pasur, duke drejtuar Atalantën, Udinezen, Bolonjën, Palermon, Xhenoan, Parmën në Itali, Monakon në Francë, apo Suonsin në Premier Ligë.

Burimet në Komitetin Ekzekutiv shtuan se një faktor I rëndësishëm në favor të Rejës ishte sjellja e tij e shkëlqyer dhe mënyra e komunikimit që I kënaqi të gjithë.

Sipas këtij burimi, pikërisht mënyra e sjelljes ishte një arsye më shumë për shkarkimin e ish-trajnerit Kristian Panuçi, i cili nuk pëlqente që anëtarë të Komitetit të darkonin me lojtarë të kombëtares, madje ndërhynte edhe për vogëlsira ndaj futbollistëve./abcnews.al