Gazetarja e ABC News Esjona Konomi ka zhvilluar një bisedë në studio me gazetarin Endri Xhafo për “prapaskenat e Rudina Hajdarit”, siç e quajti Xhafo, në lidhje me tryezën për reformën zgjedhore në të cilën Hajdari është pjesë por jo vetëm.
Lëvizjen politike të Myslym Murrizit i cili duket se do i zërë vendin Rudina Hajdarit, Konomi e komentoi si një lëvizje për të maksimalizuar atë çfarë do të vijë më pas.
“Është edhe pushtet në zonën e caktuar, eksperienca e tij është shumë më e madhe në angazhimin politik krahasuar me Znj. Hajdari. Kujtojmë që Z. Murrizi është edhe nën/ kryetar Kuvendi dhe kjo nënkutpon që lëvizja e tij nuk është për një post më shumë. Mendoj se është një lëvizje politike për të maksimalizuar atë që do të vijë më pas.
Nëse do ti bënim një analizë zhvillimeve në grupin parlamentar demokrat ato ndahen në 3 kohë.
Së pari Rudina Hajdari u pompua dhe menjëherë iu dha një protagonizëm i lartë për faktin se ishte e bija e Azem Hajdarit, të cilës iu besua edhe roli i kryetares së grupit parlamentar.
Duke qenë kryetarja e grupit parlamentar, u bë kryetarja e Komisionit të Integrimit të cilën e vendosi në pozicion shumë të mirë me ndërkombëtarët.
Për shkak se Rudina Hajdari sapo mori kryesimin e grupit parlamentar demokrat mori edhe disa favore të tjera parlamentare, që për disa deputetë të futur rishtaz në Kuvend shihen si luks dhe kënaqësi.
Pakënaqësitë e para kanë lindur pikërisht se Rudina Hajdari në çdo udhëtim jashtë vendit, shkonte vetë.
Pakënaqësitë e dyta lidhen me të tashmen dhe pikërisht me reformën zgjedhore dhe me faktin se Rudina Hajdari duke qenë se është kryetare e grupit parlamentar opozitar më të madh, ka synim të ndryshojë sistemin zgjedhor për të cilën dy partitë e mëdha nuk janë të interesuara për ta bërë këtë gjë.
Grupi parlamentar demokrat mendon se në krye duhet të jetë dikush me më shumë fuqi, të bëjë një presion më të madh mbi anëtarët e tjerë për reformën zgjedhore”, tha Konomi.
Por çfarë ndodh me mazhorancën, dhe si pritet të sillet ajo në lidhje me këtë proces verbal për shkarkimin e Hajdarit, Konomi e komentoi se mazhoranca duke qenë se ka qenë në pozita komode me Hajdarin në krye të grupit opozitar, nuk është se i pëlqen ndryshimi me Murrizin, dhe kjo kuptohet edhe nga fakti se kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci prej dy ditësh e ka në tryezën e tij këtë shkresë, dhe ende nuk është shprehur se si do vijohet më tej.
“Gramor Ruci ka dy ditë që e ka proces-verbalin e grupit parlamentar demokrat dhe nuk është shprehur në lidhje me këtë. Mazhoranca ka qenë në një pozitë më të mirë me Rudina Hajdarin në krye dhe kanë komunikuar në mënyrë më komode me të ndërsa z. Murrizi ka një eksperiencë më të madhe politike, është më këmbëngulës dhe ka një pushtet elektoral më të madh dhe një mbështetje financiare më të madhe. Nëse sistemi ndryshon apo listat hapen, një nga njerëzit më të fuqishëm për të fituar një mandat është z. Murrizi”, u shpreh gazetarja.
Ndërkohë deklaratën e kryeministrit Rama për një aleancë të mundshme në zgjedhjet e ardhshme me LSI, Konomi e komentoi si një “shkelje syri por edhe një mbyllje dere” nga ana e kryeministrit dhe se ka ende shumë kohë për të ardhur në një përfundim të qartë nga ana e tij për të riparë qëndrimin e tij ndaj LSI./abcnews.al