PRAPASKENAT/ “Deti” në Hagë, faktorët ndikues dhe çfarë do kërkojë Greqia

schedule17:52 - 26 Tetor, 2020

schedule 17:52 - 26 Tetor, 2020

Një ndër personat e grupit negociator me Greqinë, Artur Meçollari, ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare, është bërë pjesë e debatit për çështjen e shumë përfolur të kufirit detar Shqipëri – Greqi.

Si personi që ka qenë mes njerëzve që negociuan me grekët Meçollari ka reaguar duke thënë se Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi do të jetë më i mirë, se draft marrëveshja e vitit 2009.

Sipas tij, nuk mund të ketë një vendim më të keq se ai i vitit 2009 pasi vija delimituese e vitit 2009 nuk merr në konsideratë influencën e vijës së drejtë bazë të Shqipërisë.

Meçollari thotë se qëllimi final i çdo negociate është fitimi i sipërfaqes detare maksimale të mundshme ndërsa vendimi i Gjykatës nga pikëpamja e sipërfaqes shtesë të përfituara ka tre mundësi:

1) vija e re delimituese të shtrihet midis draft marrëveshjes së vitit 2009 dhe propozimit të Greqisë në negociatat e vitit 2018. Në këtë rast vajtja në gjykatë nuk është zgjidhja më e mirë.

2) vija e re delimituese të shtrihet midis pozicionit të palës greke dhe asaj shqiptare në negociatat e vitit 2018. Në këtë rast vajtja në gjykatë është e diskutueshme.

3) vija e re delimituese të shtrihet përtej pozicionit të palës shqiptare në negociatat e vitit 2018. Në këtë rast vajtja në gjykatë është zgjidhja më e mirë.

 

Ndërsa për sa i përket faktorëve që do të luajnë rol vendimtar që do të ndikojnë në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jenë:

1) efekti i vijës së drejtë bazë të Shqipërisë në fuqi përsëri nga viti 2011, i cili ka një përfitim 35 herë më të madh se efekti i shkëmbit “Barketa” në delimitimin e detit territorial,

2) efekti i shkëmbit Barketa në delimitimin e detit territorial dhe

3) efekti i ishujve në delimitimin e shelfit kontinental / zonës ekonomike ekskluzive.

Pas vizitës së ministrit të jashtëm grek Nikos Dendias në Shqipëri, dy vendet fqinje vendosën ti drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e kufirit detar, edhe pse sipas procedurës, do të duhej një marrëveshje mes dy vendeve fillimisht mes Tiranës dhe Athinës, për tu drejtuar drejtësisë ndërkombëtare.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!