Pranohet padia e PS-së, Kolegji Zgjedhor redukton listën e PD-së në 153 kandidatë

schedule13:53 - 29 Mars, 2021

schedule 13:53 - 29 Mars, 2021

Kolegji Zgjedhor këtë të hënë ka vendosur që të pranojë padinë e Partisë Socialiste dhe ka shfuqizuar vendimin e KAS, për listat e kandidatëve të koalicionit opozitar PD-AN.

Në vendimin e sotëm Kolegji ka pranuar ankimimin e PS-së e cila doli kundër listave me 222 emra të Partisë Demokratike, përballë 153 emrave të tyre për zgjedhjet e 25 prillit. Me këtë vendim lista e koalicionit PD-AN reduktohet nga 222 emra në 153 njëlloj si kundërshtari i tyre.

Për përfaqësuesin ligjor të PS, Eridian Salianji, ky vendim nuk duhet lexuar as si humbje e PD dhe as si fitore e PS, por një fitore e procesit zgjedhor në mënyrë të palët të futen në pozita të barabarta

“Vendimi i sotëm nuk ishte një vendim me të cilin humbi PD apo fitoi PS , vendimi i Kolegjit Zgjedhor solli procesin në rregullshmërinë ligjore, pra të gjitha janë në pozita të barabarta për procesin zgjedhor për datën 25 prill”, tha Salianji.

Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë Partia Demokratike fitoi betejën e parë ligjore dhe juridike në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo falë votës së ish-ministrit të tyre, Ilirjan Rusmajli, edhe pse demokratët i dogjën mundësinë për të marrë drejtimin e KQZ-së.

Gjithashtu Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) rrëzoi vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi i cili i shkurtoi listën e kandidatëve për deputetë koalicionit PD-AN. KAS vendosi të pranojë listën me 222 kandidatë për deputetë të koalicionit PD-AN, listë që është rrëzuar përfundimisht nga Kolegji zgjedhor. /abcnews.al