Autoritetet meksikane kanë arrestuar Ramón Ángel Álvarez Ayala, i njohur me nofkën “El R1”, një nga drejtuesit e Kartelit Jalisco New Generation, i dyshuar se ka urdhëruar vrasjen e influencers Valeria Márquez, e cila u ekzekutua gjatë një transmetimi live në TikTok.
Sipas autoriteteve, arrestimi i “El R1” është një goditje e rëndësishme ndaj një prej organizatave kriminale më të fuqishme dhe më të dhunshme në Meksikë.
Hetimet tregojnë se Valeria Márquez u qëllua në sallonin ku po zhvillonte një transmetim live. Autori i dyshuar, i maskuar si korrier, hyri në ambientet e biznesit, kërkoi të konfirmonte identitetin e saj dhe më pas e qëlloi me armë zjarri. Pamjet e momentit u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale.
Prokuroria dyshon se vrasja lidhet me një konflikt personal pasi Márquez kishte pasur një lidhje me djalin e “El R1”, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar dhe më pas i kishte kërkuar të atit organizimin e eliminimit të saj. Djali i tij dhe personi i dyshuar për ekzekutimin vijojnë të jenë në arrati.
Karteli Jalisco New Generation konsiderohet një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë dhe akuzohet për trafik droge, përfshirë fentanilin, metamfetaminën dhe kokainën, si dhe për zhvatje të bizneseve lokale.


