“Pranë familjes, më në fund”, pas 55 ditësh i infektuar me COVID-19, shërohet ish-deputeti i PS

schedule17:52 - 29 Gusht, 2020

schedule 17:52 - 29 Gusht, 2020

Ish- deputeti i PS dhe botuesi Fatmir Toçi pas 55 ditësh i infektuar është shëruar nga COVID-19 dhe ka lënë spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ish-deputeti nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”.

“Pranë familjes, më në fund… Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, nga të cilat 20 ditë në reanimacion, sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë…”, shprehet ai.

Statusi:

Pranë familjes, më në fund…

Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, nga të cilat 20 ditë në reanimacion, sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë.

Falenderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfëra ti shprehin deri në fund, për personelin e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, mjekët, infermierët, specialistët, sanitaret etj., në mënyrë të veçantë prof. dr. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i këtij institucioni të destinuar për të shpëtuar jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes.

Jam aq shumë i detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit te tyre, sa që sot mund ta them pa hezitim e me bindje se nëse nëna ime e mirë më bëri kokën para 62-vjetëve, ata më rikthyen në jetë pas një lufte që dukej e humbur.

Me qindra të afërm, miq, shokë, të njohur e të panjohur që kanë qenë afër meje gjatë kësaj periudhe me interesimin dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë, i falënderoj nga zemra, ma kanë lehtësuar gjendjen time shpirtërore psikologjike dhe më kanë dhënë kurajë e besim se do të dilja.

Miqtë e mi kudo që jeni, jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!