Prag lufte? Pikëpyetjet për zbarkimin e Moskës në kufirin me Ukrainën

schedule07:32 - 11 Prill, 2021

schedule 07:32 - 11 Prill, 2021

Ministri ukrainas i mbrojtjes tha të shtunën se vendi i tij mund të provokohet për shkak të tensionimit nga Rusia të gjendjes në zonën e konfliktit në rajonin lindor Donbass të Ukrainës.

Ministri, Andrii Taran, tha se akuzat ruse për shkelje të të drejtave të popullatës rusishtfolëse mund të jenë arsyeja për një rifillim të agresionit të armatosur kundër Ukrainës.

Kievi ka ngritur alarmin rreth një grumbullimi të forcave ruse pranë kufirit midis Ukrainës dhe Rusisë dhe për një shtim të dhunës përgjatë vijës së kontaktit që ndan trupat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia në Donbass.

Lëvizjet ushtarake ruse kanë nxitur shqetësimet se Moska po përgatitet të dërgojë forca në Ukrainë. Kremlini mohon që trupat e tij përbëjnë kërcënim, por thotë se ato do të qëndrojnë aty për sa kohë që Rusia e gjykon të arsyeshme.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe homologët e tij francezë dhe gjermanë i bënë thirrje Rusisë të premten për të ndalur grumbullimin e trupave dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për Kievin në përballjen e tij me Moskën.

Shtetet e Bashkuara po akuzojnë Rusinë për fshehjen e qëllimit të vërtetë të shtimit të pranisë ushtarake në kufirin me Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të japin hollësi mbi numrin ose llojet e forcave ruse që ata kanë vëzhguar të grumbullohen pranë territorit ukrainas. Por ata i përshkruan veprimet e Moskës si provokuese dhe destabilizuese, duke hedhur poshtë pohimet se lëvizjet thjesht kanë patur lidhje me stërvitje ushtarake.

“Ne nuk mendojmë se rusët kanë qenë plotësisht transparentë për atë që po bëjnë,” u tha gazetarëve të premten sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby.

“Është një shtim i madh forcash… më i madhi që kemi parë që nga viti 2014,” tha ai, duke vënë në dukje se grumbullime të tilla të mëparshme të forcës ushtarake ruse nuk kanë përfunduar mirë për fqinjët e Moskës.

“Është një histori, një mënyrë operimi që e kemi parë nga rusët në shumë vende dhe sigurisht që jemi të vetëdijshëm për këtë histori,” tha zoti Kirby, duke iu referuar aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

“Kjo është një nga arsyet pse ne po e vëzhgojmë këtë me shumë, shumë kujdes,” tha ai.

Në Shtëpinë e Bardhë, sekretarja e shtypit Jen Psaki tha se SHBA po punojnë me partnerë dhe aleatët për të vlerësuar situatën dhe se çfarë mund të bëhet për të ulur tensionet.

“Ka një angazhim të vazhdueshëm diplomatik midis nesh dhe një numri vendesh në rajon, përfshirë Rusinë,” tha ajo.

Zonja Psaki nuk pranoi të komentojë më shumë rreth përpjekjeve diplomatike, por Gjermania dhe Franca shtuan zërat e tyre në korin e vendeve të cilat kërkojnë që Moska të tërhiqet.

Deri tani, thirrje të tilla duket se kanë patur pak ndikim. Rusia mori në mbrojtje të premten veprimet e saj ndërsa këmbëngul se është Ukraina përgjegjëse për tensionet e rritura.

“Ne jemi të lirë të lëvizim forcat tona të armatosura dhe çdo njësi në të gjithë territorin e Rusisë, sipas gjykimit tonë,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Ukraina po kthehet përsëri në një rajon potencialisht shumë të paqëndrueshëm. Çdo vend që ka një rajon të paqëndrueshëm, shpërthyes pranë kufijve të tij, sigurisht që merr masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e vet,” shtoi ai.

Ndërkohë, zëvendës ministri i jashtëm i Rusisë u duk se ngriti shqetësime për njoftimet se SHBA po dërgon dy anije luftarake në Detin e Zi në një demonstrim mbështetjeje për Ukrainën.

Zyrtarët turq thanë të Premten se SHBA do të dërgonin dy anije në Detin e Zi javën e ardhshme (14-15 prill) dhe se ato do të qëndronin atje për afro dy javë.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes amerikane nuk pranuan të konfirmojnë deklaratën turke por thanë se operacione të tilla janë rutinë.

“Ne do të fluturojmë, lundrojmë dhe veprojmë kudo që na lejon ligji ndërkombëtar. Për këtë bëhet fjalë dhe, në mënyrë të qartë, ne i marrim shumë, shumë seriozisht detyrimet tona në të gjithë zonën evropiane të operacioneve,” tha zëdhënësi Kirby.

Këtë javë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i kërkoi NATO-s të lejojë vendin t’i bashkohet aleancës, për t’i dërguar Moskës një mesazh dhe për t’i dhënë fund luftimeve në rajonin e Donbasit, ku separatistët e mbështetur nga Rusia luftojnë me forcat ukrainase që nga prilli i vitit 2014./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!