Prag lufte në Venezuelë

schedule16:55 - 2 Mars, 2019

schedule 16:55 - 2 Mars, 2019

Venezuelës i duhet një zgjidhje paqësore për të shmangur rrezikun e një lufte. Situata në vend po përkeqësohet nga dita në ditë, ndërkohë që disa analistë janë të bindur se arsyeja e vërtetë e krizës në vend janë sanksionet amerikane.

Disa analistë këmbëngulin se arsyeja e vërtetë e krizës që ka goditur Venezuelën janë sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto sanksione shkelin të drejtat e njeriut të popullit venezuelian, duke ndaluar hyrjen në vend të ushqimeve dhe mjekimeve. Një qëndrim i mbështetur dhe nga relatori i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Alfred De Zaias.

Qëllimi i rrënimit të ekonomisë është kapitullimi i qeverisë së presidentit Nicolas Maduro për t’i hapur rrugë pasardhësit të tij, Huan Guaido, i cili është i gatshëm të tregohet më i ndjeshëm ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve dhe më pak armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse deri tani rruga e ndërmarrë nga lideri i opozitës për ndryshimin e pushtetit, i mbështetur jo vetëm nga Uashingtoni, por dhe nga disa vende perëndimore, ka dështuar. Por një dështim i tillë mund t’i hapë rrugë një ndërhyrjeje ushtarake të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një perspektivë që Shtëpia e Bardhë evokon prej kohësh.

Një ndërhyrje e këtij lloji mund të shkaktojë skenarë të paparashikueshëm dhe duket vështirë i realizueshëm nga ana ushtarake për shkak të nivelit të mirë të armatimit dhe të trajnimit të forcave të armatosura venezueliane dhe ekzistencën e një armate prej dy milionë burra dhe grash që përbëjnë unionin civil – ushtarak të promovuar nga Hugo Chavez. E ndërtuar për të pasqyruar luftën e popullit ndaj çdo pushtuesi.

Por duhet marrë parasysh se reagimet e komunitetit ndërkombëtar janë armiqësore ndaj një zgjidhjeje të tillë; përveç vendeve që kanë dalë tashmë publikisht në krah të Maduros si: Kina, Rusia dhe Turqia. Vendet europiane dhe latino-amerikane që ndoqën Trump në mbështetje të Guaido si alternativë ndaj Maduros nuk janë të gatshme të shkojnë deri tek lufta. Pra nëse Trump, do të vendoste të niste një luftë, do t’i duhej ta bënte i vetëm.

Për të gjithë është e qartë përveç se ndoshta për Trump, se ndërhyrja ushtarake amerikane do të shkaktonte një katastrofë, një rajonalizim të konfliktit dhe rreziqe shumë serioze për paqen në botë, meqenëse Rusia, Kina dhe të tjerët nuk do të qëndronin indiferentë ndaj situatës.

Por dhe situata aktuale e bllokimit në vend është e rrezikshme dhe ndaj gjetja e një zgjidhjeje paqësore është e domosdoshme; duke synuar fillimisht heqjen e sanksioneve, një marrëveshje mes forcave kryesore politike në vend, dhe zgjedhje të reja me garancitë e duhura ndërkombëtare për të gjithë.

Por aktualisht kriza ekonomike dhe politike në Venezuelë vazhdon të përkeqësojë kushtet e jetesës. Rreth 80 për qind e popullsisë gjendet në kushte të pasigurisë së ushqyerjes, ndërsa 89 për qind e familjeve nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të blerë ushqime. Të dhënat alarmuese dalin nga hetimi kombëtar për kushtet e jetesës së popullsisë venezueliane, sipas të cilit paga e venezuelianëve në ekonominë formale është gjashtë dollar në muaj.

Llogaritjet janë bërë duke marrë si referim rishikimin e fundit të  pagave dhe taksën e ndërrimit zyrtar më të fundit, shpjegohet në këtë dokument të publikuar nga revista venezueliane “Dinero”. Regjistrohet ndër të tjera dhe një rritje deri në 51 për qind të numrit të familjeve të varfra dhe një rritje prej 10 për qind të papunësisë në periudhën 2015 – 2018.

Një tjetër tregues alarmues është dhe rritja e vdekshmërisë foshnjore. Ndërkohë që nga e shtuna e kaluar janë 567 anëtarët e forcave të armatosura venezueliane që kanë dezertuar duke kaluar në territorin kolumbian si pasojë e përplasjeve ditët e fundit në kufi, për hyrjen e ndihmave humanitare. Shifra është konfirmuar nga shërbimet kolumbiane të emigracionit.

Në arenën ndërkombëtare ndërkohë vetot kanë bllokuar çdo gjë. Rusia dhe Kina rrëzuan rezolutën amerikane për Venezuelën në Këshillin e Sigurisë në OKB. Dokumenti kërkonte zgjedhje të lira dhe hyrjen e ndihmave humanitare në vend. Por dhe rezoluta ruse u bllokua me vetëm katër vota pro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!