Centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u raportua se u sulmua nga rusët në orët e para të së premtes. Sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale në Ukrainë. Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh.
U konfirmua se sulmi nuk shkaktoi pasoja aq të mëdha sa të shkaktonte fatkeqësi bërthamore. Ekspertët raportuan në fillim se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit, por më pas ukrainasit dhanë alarmin për probleme në ftohjen e reaktorëve që mund të çonte në një tragjedi si ajo e Çernobilit në vitin 1986. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian pas sulmit.
Lexo të gjitha zhvillimet në ditën e nëntë të luftës në Ukrainë
Zelensky tha se nëse vazhdojnë bombardimet, fatkeqësia mund të jetë më e madhe se ajo e Çernobilit. Shtëpia e Bardhë tha se ka informacione se aktualisht nuk ka rrezik të lartë nga rritja e nivelit të radioaktivitetit edhe pse situata duket të jetë tepër e rrezikshme.
Centrali bërthamor Zaporizhzhia është më i madhi në Evropë.
Gjatë luftimeve në central pati një zjarr, dhe menjëherë pas tij ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, pati një bisedë telefonike “urgjente” me homologen e tij amerikane Jennifer Granholm rreth situatës në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia të premten herët.
Zjarri në objekt shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së premtes dhe që atëherë është shuar pa viktima, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.
“Armiku nuk është i shqetësuar për sigurinë bërthamore ” tha Galushchenko.
Ai shtoi se Rusia ishte “indiferente ndaj jetëve njerëzore të ukrainasve, evropianëve dhe qytetarëve të tyre”.
“Ne jemi përpjekur t’ia përcjellim këtë mesazh Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për disa ditë. Ne kërkuam ndërhyrjen e kësaj organizate ndërkombëtare dhe vendime të ashpra në lidhje me agresorin. Por ata nuk janë ende atje“, tha Galushchenko.
“Prandaj, ne kërkojmë jo vetëm një vlerësim profesional të asaj që po ndodh, por edhe ndërhyrje reale, duke marrë masat më të ashpra, duke përfshirë NATO-n dhe vendet që posedojnë armë bërthamore”, shtoi ai.
/abcnews.al