Duhen edhe tre ditë për të mbushur fiks 11 vite nga Beogradi. Nga ajo ndeshje, që vetëm ndeshje nuk ishte, por që në fund rezultoi vendimtare në kualifikimin historik të kombëtares së Shqipërisë për herë të parë në finalet e “Euro 2016”.
Skuadra kuqezi kthehet në Serbi, për një tjetër sfidë deçizive, që do të vendosë fatin e saj në eliminatoret e “Botërorit 2026”.
Kohët kanë ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar stadiumi dhe organizimi.
Në orën 20:45 Shqipëria do të zbresë në impiantin e Leskovacit, në përballjen direkte, për brenda ose jashtë garës për një biletë për në finalet e Kupës së Botës.
Sylvinho dhe të besuarit e tij duhet të fitojnë me çdo kusht për të ruajtur vendin e dytë dhe mundësinë për të luajtuar më pas në fazën e play off.
Çdo rezultat tjetër do të sfumonte ose shuante përfundimisht ëndrrën.
Këtë e dinë mirë Silvinjo dhe të besuarit e tij, që në çdo deklaratë të tyre përpara kësaj sfide janë shprehur optimist dhe kanë premtuar maksimumin.
Por këtë do ta tregojë fusha dhe detajet që rrethojnë atë para nisjes së topit të parë janë në favor të kuqezinjve.
Ndryshe nga Beogradi, do të luhet në një stadium të vogël. Në tribuna do të jenë vetëm 5 mijë tifozë, por edhe ata të zgjedhur.
Tani “topi” është në këmbët e futbollistëve, sidomos ata që do të zbresin në fushë nga minuta e parë.
Sylvinho, si gjithmonë nuk ka dashur të zbulojë asgjë sa i përket formacionit, por e sigurt është që tekniku do ti besojë lojtarëve më në formë.
Kështu, Strakosha do të niset sërish titullar në portë, ndërsa përpara tij në mbrojtje do të luajnë kapiteni Gjimshiti e Ajeti në qendër të mbrojtjes, ndërsa Hysaj në të djathtë e Mitaj në të majtë të repartit difensiv.
Nuk ndryshon as mesfusha, me Asllanin, Shehun dhe Laçin. Dyshimet janë të gjitha në sulm. Broja e ka të sigurt vendin e tij në të djathtë, ndërsa Silvinjo duhet të zgjedhë në dy pozicionet e tjerë të avanccuar. Në të majtë, I favorizuar është Bajrami ndaj Uzunit, ndërsa në qendër të sulmit, Daku ka më shumë shanse se Manaj për një vend si titullar.
Kombëtarja e Shqipërisë zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes, ndërsa I rëndësishëm është fakti se Sylvinjo mori sinjale pozitive nga të gjithë futbollistët.
/ abcnews.al /

