Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë ka nisur proceduarat për t’u anëtarësuar në FIFPro, në mënyrë që edhe futbollistët shqiptarë të jenë të mbrojtur. Janë disa kushte për t’u plotësuar dhe po punohet që ato të plotësohen.
Ditët e fundit Sindikata ka dalë me disa deklarata dhe kërkon që lojtarët të paguhen gjatë kësaj periudhe, si dhe i është kërkuar ndihmë qeverisë që të jetë afër botës së sportit, që gjithashtu po kalon një moment krize prej pandemisë së krijuar nga Coronavirusi.
Sot, në faqen zyrtare në “Instagram”, SFPSH tenton të motivojë futbollistët me një video të FIFPro, ku shfaqen lojtarë si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, Harry Kane dhe Leonardo Bonucci, të cilët flasin për të drejtat e lojtarëve dhe rëndësinë që kanë pagesat e rregullta për punën që bëjnë.
“Motivim! T’i ndjekim këta kampionë si shembuj edhe jashtë fushës së blertë! Komuniteti i futbollistëve duhet të jetë gjithmonë i bashkuar, vetëm në këtë mënyrë askush s’mund të na nëpërkëmbë! Mbro karrierën tënde, mbro të ardhurat e tua, mbro familjen tënde!”, shkruan Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë./abcnews.al