Futbollistët po mundohen të ndihmojnë ata më në nevojë, gjatë kësaj periudhe të pandemisë së COVID-19. Lojtarë të mëdhenj kanë bërë donacione të ndryshme, sidomos për personelin mjekësor që po punon fort në vijën e parë dhe po përballet me pasojat e virusit të ri.
Kombëtarja e Portugalisë ka bërë një gjest të bukur, teksa dhuron gjysmën e bonusit që futbollistët kishin për kualifikimin në EURO 2020. Nismëtar ka qenë Cristiano Ronaldo dhe këtë e zbulon mesfushori i Manchester City, Bernardo Silva.
“Ronaldo është tip i qetë, ai para dy-tre ditësh dha idenë që të dhurojmë 50 për qind të shpërblimit tonë. U kualifikuam në Europian dhe tani do zhvillohet në vitin 2021. Kështu ai dha idenë dhe ka qenë shumë aktiv për këtë gjë, duke na dërguar mesazhe të gjithëve”, tregon Silva.
LOJTARI I ATLETICO MADRID – Marcos Llorente, lojtari i skuadrës spanjolle, i cili ndëshkoi skuadrën e Liverpool në Champions League, vendosi para disa ditësh të nxirrte në ankand fanellën e tij, atë me të cilën luajtur kundër ekipit të Jurgen Klopp.
Fanella e Llorente është shitur për 8100 euro dhe kjo shumë është dhuruar nga lojtari i Atleto Madrid, për të ndihmuar në betejën me COVID-19. Si Llorente kanë vepruar shumë lojtarë, duke nxjerrë fanella, ose edhe trofe personalë, dhe më pas të ardhurat t’i dhurojnë në këtë moment të vështirë për të gjithë. /abcnews.al