Porto Romano pasuron Berishët? Porti i ri, qeveria u blen tokat për…20 milionë euro

schedule17:25 - 14 Gusht, 2024

schedule 17:25 - 14 Gusht, 2024

Disa kilometra larg qendrës së Durrësit, vijojnë punimet në portin tregtar të Porto Romanos. Pas shpalljes së garës ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri detar, do të nisin dhe shpronësimet për ata që janë prekur nga ky projekt.

“Nga projekti për ndërtimin e Ri në Porto Romano do të preken 1.5 milionë metra katror sipërfaqe toke e cila u përket 309 pronarëve”.

Ngritja e portit të Porto Romanos, vjen si domosdoshmëri për zgjerimin e kapaciteteve, të cilat porti aktual I Durrësit nuk i përballon.

Shteti është i detyruar të paguajë pronarët, për tokën që do t’u marrë. Çmimi përcaktohet nga vlera e tregut, e cila tashme në Porto Romano ka shkuar edhe 100 euro për metër katror.

Por, nga lista tashmë e bërë publike, përfitimet më të mëdha duket se i takojnë vete një familjeje.

“Ajo që bie në sy është fakti që një pjesë e mirë e kësaj sipërfaqe toke posedohet nga tarafi apo bashkëpunëtorë të familjes së ish-kryeministrit Berisha”

Listën e kryeson një kompani e quajtur “Stellar Real Estate”, e cila zotëron të paktën 8 hektarë tokë. Ndonëse pronarët janë të panjohur, “Stellar Real Estate” me një prokurë të posaçme autorizoi Shkëlzen Berishën në 2009, kohe kur i ati i tij ishte kryeministër, që t’i gjente 5 hektarë tokë në këtë zonë.

Entela Shehaj rezulton gjithashtu ortake me Ismail Mulletin në kompaninë “IMAH 2014”

Por nga emrat e afërt të familjes së ish kryeministrit, më I fituari është IL Mulleti. Biznesmeni, mik i familjes dhe një nga përfituesit e vjetër të qeverive të PD që në vitet 90, posedon 2 hektarë tokë në emrin personal në listën e shpronësimeve të portit të ri.

Një sipërfaqe tjetër prej gjysmë hektari, po në zonën e Porto Romanos ai e posedon në emrin e kompanisë GFI.

Pas Ismail Mulletit në radhë, vjen mbesa e Sali Berishës, Shpresa Breçani. Ajo posedon të paktën 1.6 hektarë tokë në zonën pranë Porto Romanos.

Puna e personazheve të lidhura me Berishët ka nisur 15 vite më pare, ne vitin 2009 atëherë kur kishin akses në planifikimin afatgjatë industrial të zonës.

Tani kanë afro 20 hektarë të dokumentuar në pronësi të tyre, për të cilin mund të kërkojnë vlerësim me çmim tregu të tokës.

Çmimi mesatar në Porto Romano  është 100 euro për metër katrorë dhe me 20 hektarë të grupit Berisha, llogaritet që ky grup të përfitojë rreth 20 milionë euro.

Lidhjet e tyre me Porto Romanon janë denoncuar nga opozita socialiste që në vitin 2010. Por tani që janë në pushtet, socialistët do të shpërblejnë ish të denoncuarit e tyre me 20 milionë euro.

Ndërsa SPAK ka mundësi të na thotë nëse këto, do jenë miliona të vëna me djersën e ballit, apo të përfituara për shkak të abuzimit të pushtetit nga qeveria e mëparshme demokrate./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!