Portierët vendosin fatin e Realit dhe Barcelonës në La Liga

schedule21:01 - 16 Shtator, 2018

schedule 21:01 - 16 Shtator, 2018

Portierët ishin vendimtarë këtë javë në ligën spanjolle. Ata bënë që Barcelona të fitonte ndeshjen, ndërsa Reali të bënte gabimin e parë në sezon.

Është vetëm fillimi dhe nuk ka asnjë problem nëse ke 10 pikë ndaj 12 të rivalit kryesor. Në këtë pozicion është Reali i Madridit pas barazimit 1-1 në fushën e Bilbaos, dhe fitores 2-1 të Barcelonës në stadiumin e Real Sociedadit. Madrilenët luajtën mjaft mirë, sidomos në sulm, e mbajtën shumë topin, por nuk ia dolën në Vendet Baske për dy arsye kryesore, së pari për shkak të karakterit të Atletikut vendas, dhe së dyti për meritë të portierit Unai Simon, që bëri të paktën 4 pritje shpëtimtare. Pritje bëri edhe Kurtua për Madridin, por më pak.

Muniain kaloi baskët në epërsi në 32’, Isko barazoi në 64’, dhe skuadra e trajnerit Hulen Lopetegi u detyrua të pranonte ndalesën e parë në këtë sezon në La Liga. Barcelona, për fat, portierin vendimtar e pati në portën e vet. Ter Shtegen bëri të paktën dy pritje të mëdha dhe katalanasit kaluan me fat gjithashtu në Vendet Baske, në San Sebastian. Fillimisht, Sociedadi kaloi përpara me rrjetën e shënuar nga Aritz Elustondo në 12’ dhe u desh shumë që të realizohej përmbysja. Trajneri Valverde futi pas pushimit në fushë Kutinjon, që u tregua një lojtar i madh, pikërisht atëherë kur duhej, me Mesin jo edhe aq në formë.

Suarez dhe Dembele realizuan për kampionët, por edhe me “bashkëpunimin” e portierit vendas, Ruji. Barça vazhdon të mos gabojë, duke fituar të katër ndeshjet, por gjithsesi, nuk është se po luan futbollin e dikurshëm me Guardiolën apo Luis Enriken./abcnews.al