Porti i ri në Porto Romano, Balluku: Ekspertizë ndërkombëtare për tenderimin, negocimin dhe monitorimin e kontratës

schedule10:31 - 30 Korrik, 2024

schedule 10:31 - 30 Korrik, 2024

Hapet gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, një nga projektet më të rëndësishme strategjike për Shqipërinë dhe rajonin, që i përgjigjet gjithashtu edhe fluksit gjithmonë e në rritje duke zgjeruar kapacitetet përpunuese.

Zëvendëskryeministerja, njëherësh Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku deklaroi se do të ketë ekspertizë ndërkombëtare për tenderimin, negocimin dhe monitorimin e kontratës për ndërtimin e portit të ri.

Sipas Ballukut, ky investim do të jetë risi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera.

Durrësi dhe Porto Romano janë anët e së njëjtës medalje, të pandara, të pandashme dhe që kompletojnë njëra-tjetrën. Dhe kur themi Durrësi do të ketë dy porte, sot kjo ambicie nuk është më një realitet i një ëndrre, por është një realitet i prekshëm. Dhe sot në mëngjes tek isha ulur me Anin dhe po prisnim të vinim këtu, kryetaren e Bashkisë së Durrësit, po thonim se sa shpejt kaloi koha dhe sa shumë punë kemi bërë, por ja që tashmë edhe ky projekt do të realizohet. Dhe nëse dikur na paragjykonin, mbaj mend flitej për 3D që ne shfaqnim dhe që nuk realizoheshin kurrë, ka ca vite, nja dy ndoshta dhe ca muaj, që nuk e dëgjoj më këtë historinë e 3D-ve. Ndoshta që kur përfunduam aeroportin e Kukësit. Tashmë askush nuk mund të flasë për 3D e fushatave, pasi projektet janë të prekshme dhe janë në funksion të qytetarëve.

Në kushtet ku një investim i këtyre përmasave është risi për Shqipërinë, por jo vetëm për Shqipërinë edhe për vende të tjera do të thoja unë, kjo duket edhe nga interesi i kompanive të cilat duan të marrin pjesë në garë, nevojitet padyshim një ekspertizë ndërkombëtare në procesin e tenderimit, negocimit dhe monitorimit të kontratës. Ndaj dhe kemi vendosur që të kemi në krah totalisht të angazhuar në procesin e vlerësimit të garës, në procesin e negocimit dhe të menaxhimit të kontratës konsulentët tanë të Royal Haskoning dhe teksa kompanitë garuese do të përgatiten për të ardhur me propozimet e tyre teknike dhe financiare kini parasysh se mbas platformës elektronike do të jenë të ulur ekspertët e Royal Haskoning për të dhënë përgjigje për çdo pyetje dhe paqartësi.

Tashmë prej vitesh kemi krijuar një sistem të ri, transparent, i cili është kontribuuesi kryesor pse sot kompanitë ndërkombëtare vijnë dhe garojnë në garat tona të energjisë, në garat tona të infrastrukturës. Është kjo transparencë që ka krijuar kushtet sot që Shqipëria të jetë po aq atraktive për këto kompani ndërkombëtare sa çdo vend tjetër Europian.

Para se të ftoj këtu Eric Smit, për të dhënë informacionet e nevojshme lidhur me teknikalitetet e kësaj gare, përsa i përket të gjithë dokumentacionit që duhet të dorëzohet, përsa i përket afateve, përsa i përket momentit tjetër historik atë të nënshkrimi të kontratës, unë do të desha që të falënderoja të gjithë bashkëpunëtorët e mi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për punën e palodhur që kanë bërë. Djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Autoritetit Portual të Durrësit, Forcën Detare që ka qenë me ne gjatë gjithë këtij rrugëtimi dhe padyshim edhe Universitetin Politeknik të Tiranës.

Para se ta mbyll do të desha që të falënderoja mikun tim Pirro Vëngun, drejtorin e Portit të Durrësit, që duke nisur nga sot pasdite do të jetë kolegu im, Ministri i Mbrojtjes. Pirro kur ka ardhur në portin e Durrësit ka ardhur si një diplomat dhe mbaj mend që Kryeministri thoshte në atë kohë sesi mundet një diplomat të mbijetojë në portin e Durrësit, ku sido që të jetë detaria është me të vërtetë një fushë e vështirë. Por Pirro ja doli dhe u bë më shumë se një drejtor i një porti. U bë një person që la gjurmën e vet në këtë projekt të ri dhe unë jam shumë e sigurtë që tashmë nga detyra që ai do të ketë do të punojë akoma më shumë për të realizuar atë pjesë të këtij projekti që është kaq e rëndësishme, ndërtimin e bazës së NATO-s në brigjet e Mesdheut.
Shqipëria ka treguar dhe ne kemi dëshmuar dhe njëherë që kemi njerëz punëtorë, njerëz të dedikuar dhe nëse kemi përkrah partnerë të mirë të cilët na kalojnë një pjesë të eksperiencës të tyre ne ia dalim që të bëjmë punë të vështira dhe projekte të mëdha.

Do të doja të falënderoja dhe Kryeministrin për të gjithë angazhimin që ka pasur në këtë projekt. Besojeni apo jo, ne e kemi informuar atë pothuajse çdo javë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për të na motivuar dhe për të ecur përpara“, u shpreh Balluku.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!