Dy zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë janë arrestuar nga policia me akuzën e lejimit të ndërtimeve pa leje dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë;
- H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
- Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Në kërkim;
M.N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e tyre në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.
Por cila ishte porosia e Edi Ramës?
Pak ditë më parë, konkretisht në 14 Maj, kryeministri kërkoi nisjen e menjëhershme të operacionit të kontrollit në vijën bregdetare për ndërtimet pa leje. Rama tha se kjo duhet të ndodhë tani dhe jo në mes të sezonit.
Kreu i qeverisë u shpreh se me ndryshimet ligjore rrezikojnë burg edhe inxhinieri, arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve nëse bëhet palë me investitorin.
Kreu i qeverisë kishte një “shuplakë” për policinë kur tha se “shkoni për një copë mur në fund të botës, por nuk kontrolloni ndërtimet buzë detit”. Porosia është dëgjuar dhe aksioni ka nisur./ db/ Abcnews.al