Populistët në Europë synojnë krijimin e një fronti të përbashket për zgjedhjet

schedule11:41 - 8 Prill, 2019

schedule 11:41 - 8 Prill, 2019

Në prag të zgjedhjeve parlamentare europiane, partia AFD në Gjermani dhe partitë e tjera populiste të djathta duan të krijojnë një front të bashkuar në Parlamentin e ri Europian. “Lega” e Matteo Salvinit është mjaft aktive në këtë drejtim.

Në një kohë që Europa veriore është e zënë me Brexit, në jug dicka tjetër është në qendër të vëmendjes. Rreth 500 populistë të djathtë të rinj nga gjashtë vende perëndimore ndodhen në Itali, në vendin, që po përjeton një hov të madh populist dhe ku organizohet takimi i “patriotëve ndërkombëtarë” i organizuar nga Lega e Mateo Salvinit.

Kjo parti në 30 vjetorin e krijimit të saj kërkon të niset fuqishëm në zgjedhjet europiane në maj. Sipas sondazheve, partia e Matteo Salvinit del forca kryesore. Por Salvini do më shumë. Ai po organizon prej muajsh bashkimin e populistëve të djathtë në Europë.

Ndër pjesëmarrësit ishin kryetarët e 5 organizatave rinore të partive populiste nga Belgjika, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Austria.

Deri më tani populistët e djathtë në Parlamentin Europian përfaqësoheshin nga tre grupime parlamentare, EKR, ANF dhe EFDD. Në të shkuarën bashkëpunimi mes tyre dështoi për shkak të mospërputhjeve në përmbajtje, ose sepse nuk u krijua dot personalisht komunikim i mirë. Por tani para zgjedhjeve europiane synohet të krijohet një grupim i vetëm i madh i ri.

Sipas raportimeve në media deri në 20 parti e grupime do të bashkohen në një „Aleancë të Popujve e Kombeve Europianë”. Salvini planifikon edhe një tur zgjedhor nëpër Gjermani. Në Europën Lindore ai e kreu këtë tur para pak javësh. Por në Varshavë ende nuk është thënë, nëse partia populiste e djathtë polake, PiS do t‘i bashkohet grupit të mobilizuar nga Salvini. Qëllimi i populistëve të djathtë është që në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve të majit ata të arrijnë të krijojnë grupin e tretë ose të dytë më të madh në PE. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!