Në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar Kosovën për 11-vjetorin e pavarësisë.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën që të hapë dyert drejt së ardhmes me më shumë prosperitet, siguri dhe stabilitet në dekadën e dytë të pavarësisë”, ka thënë Pompeo.
Në mesazhin e tij, shefi i diplomacisë amerikane nënvizon se, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke si boshtin e tyre, është një proces jetik për suksesin e Kosovës.
“Përmbushja e këtij vizioni kërkon përpjekje të vazhdueshme për të forcuar institucionet tuaja demokratike”, ka vijuar Pompeo.
Ai ka theksuar se, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të vazhdojnë ndërtimin e partneritetit dypalësh, të bazuar në vlera dhe prioritete të përbashkëta.
“Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lidhjen e fortë mes popujve tanë dhe do t’i mbështesin hapat e atyre që punojnë për të nxjerrë në pah potencialin e madh të Kosovës”, ka shtuar Pompeo./abcnews.al