Pompeo: Ligji i ri kinez, një fyerje ndaj të gjitha vendeve

schedule08:27 - 2 Korrik, 2020

schedule 08:27 - 2 Korrik, 2020

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha të mërkurën se ligji për sigurinë që Kina zbatoi  në Hong Kong është “një fyerje ndaj të gjitha vendeve” . “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara  për sigurinë e të gjithë atyre që jetojnë në atë territor, përfshirë amerikanët”, deklaroi Pompeo.

Ligji parashikon dënime të rënda për krime të papërcaktuara  si “bashkëpunim të qëllimshëm me vende të huaja”. Krime si dëmtimi i transportit publik mund të konsiderohet si vepër terroriste, e dënueshme me burgim të përjetshëm.

Analistët ligjorë thonë se në thelb ligji u jep fund lirive politike që për një kohë të gjatë u jepnin mundësi banorëve të Hong Kongut që të shprehnin pikëpamjet e tyre dhe kishin kontribuar në transformimin e territorit në një qendër ndërkombëtare biznesi.

“Neni 38 i ligjit të ri synon të zbatohet edhe për shkelje të kryera jashtë Hong Kongut nga njerëz që nuk janë banorë të Hong Kongut dhe kjo ka gjasa të përfshijë amerikanët. Kjo është indinjuese dhe një sfidë ndaj gjithë vendeve tona”, tha zoti Pompeo.

Ndërsa Pekini ka rritur kontrollin ndaj Hong Kongut, udhëheqësit amerikanë thonë se veprimet e Kinës kërcënojnë interesat ekonomike, sigurinë dhe vlerat e Amerikës.

Analistët thonë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët, prej dekadash.

Në Pekin, Kina vendosi kufizime të mëtejshme ndaj agjencive amerikane të lajmeve këtë javë, duke u thënë katër organizatave se duhet të japin detaje për operacionet e tyre të biznesit në vend, në përgjigje të asaj që Pekini e quajti “shtypje” nga Shtetet e Bashkuara të organeve të medias shtetërore kineze. Ishte një veprim i ngjashëm me atë të para disa muajve që Kina ndërmori ndaj mediave të huaja, përfshirë Zërin e Amerikës./abcnews.al