Polonia rrit presionin ndaj Gjermanisë, Varshava kërkon të aktivizojë OKB dhe SHBA për çështjen e reparacioneve

schedule09:23 - 8 Janar, 2023

schedule 09:23 - 8 Janar, 2023

Pas “jo-së” së përsëritur të Berlinit, Varshava kërkon të aktivizojë OKB dhe SHBA për çështjen e reparacioneve me Gjermaninë. Përtej kësaj gjermanëve duhet t’u “shpjegohen” kërkesat e Polonisë.

Zëvendësministri i jashtëm polak, Mularczyk, anëtar i partisë qeverisëse “Ligj dhe drejtësi”, PiS ka vite që temën e reparacioneve nga Gjermania e ka kthyer në temë qendrore të punës së tij. Në vitin 2017 ai drejtoi një grup parlamentar, i cili duhej të përcaktonte humbjet e Polonisë në Luftën e Dytë Botërore. Më 1 shtator 2022, në 73 vjetorin e pushtimit gjerman të Polonisë, ai prezantoi raportin përfundimtar, në të cilin bëhet fjalë për 6,2 bilionë zloty, ose 1,3 bilionë euro dëme lufte. Mularczyk e ka cilësuar më parë përgjigjen e Gjermanisë si “injorim të Polonisë dhe polakëve”. Sipas tij “gjermanët nuk ndjekin një politikë miqësore ndaj Polonisë, duan të ngrenë këtu zonën e tyre të influencës, dhe e trajtojnë Poloninë si vasale”, ka thënë ai për agjencinë polake të lajmeve, pap.

OKB dhe SHBA do duhet të mbështesin kërkesat polake

Për të rritur presionin ndaj Berlinit, Varshava i është drejtuar me një lutje për mbështetje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Edhe Sekretarja e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, është ftuar në Varshavë. Më tej Mularczyk ka bërë të ditur se do të udhëtojë në SHBA për të fituar aleatë për këtë çështje në kongresin dhe senatin amerikan. Sipas një sondazhi të institutit Ipsos me porosi të mediave polake në fillim të janarit 2023, 75% e gjermanëve i refuzojnë kërkesat polake. Ky rezultat nuk e tremb Mularczyk që të njoftojë për një fushatë informimi në Gjermani me shpresë, se “me kohë gjermanët do të binden, se kjo çështje do rregulluar”.

Refuzimi nga Gjermania përdoret nga qeveria nacionaliste e djathtë polake për kritika ndaj Gjermanisë, që duket se do të jetë një nga temat kryesore në fushatën e të djathtëve polakë para fushatës së zgjedhjeve parlamentare në vjeshtë. Pavarësisht se cila parti polake fiton në vjeshtë 2023, ajo duhet të përballet me çështjen e reparacioneve – sipas një sondazhi të Ipsos 66% e polakëve janë shprehur pro kërkesës për reparacione nga Gjermania. Në një vendim të parlamentit polak vitin e kaluar, i mbështetur edhe nga opozita polake, Sejm përcaktoi, se Polonia nuk kishte marrë asnjëherë dëmshpërblime për humbjet e luftës dhe nuk ka hequr kurrë dorë nga pretendimet e saj. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!