Parlamenti i Polonisë miratoi ndërtimin e një muri anti emigrantë në kufi me Biellorusinë. Pas miratimit të parlamentit, këtë të premte, për të vijuar me punimet, mungon vetëm miratimi i presidentit Duda, i cili është gjithsesi një aleat i qeverisë së drejtuar nga Moravieski. Kreu i shtetit ka bërë të qartë në disa raste se do të jepte OK e tij nëse parlamenti do e miratonte.
Barriera – një ndërtim për të cilin flitet prej kohësh dhe që qeveria ka ndërmend të ndërtojë brenda një kohe sa më të shkurtër do të kushtojë nga 350 deri në 400 milion euro, dhe do të shtrihet në rreth 100 kilometra në kufi. Ajo do të shërbejë për të ndaluar fluksin në rritje të emigrantëve, që vijnë kryesisht nga Siria dhe Iraku, të cilët kalojnë nga Bjellorusia për të kërkuar azil në Bashkimin Europian.
Një tranzit që sipas Varshavës dhe Brukselit, inkurajohet nga presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, i cili në këtë mënyrë synon të destabilizojë të gjithë bllokun si mënyrë hakmarrjeje ndaj sanksioneve perëndimore.
Çmimin më të lartë e paguajnë pikërisht emigrantët. Kohët e fundit, disa prej tyre kanë humbur jetën si pasojë e lodhjes pranë kufirit polak, i cili shtrihet për më shumë se 400 kilometra përmes një pylli, dhe përgjatë lumit Bug.
Polonia ka vendosur një barrierë me tela me gjemba në kufi dhe ka dërguar mijëra roje kufitare, trupa ushtarake dhe agjentë policie. Por këto masa nuk arritën të ndalojnë fluksin e emigrantëve. Rojet kufitare kanë shtyrë emigrantët përtej kufirit përfshirë dhe disa familje me fëmijë: çdo gjë konfirmon një ligji të ri polak që e lejon një procedurë të tillë.
Polonia është në bisedime me agjencinë e kufirit të Bashkimit europian, Frontex, për sa i përket planeve për të rikthyer emigrantët në vendet e tyre të origjinës. Emigrantët që hyjnë në cdo vend të Bashkimit Europian mund të kërkojnë azil ose mbrojtje ndërkombëtare, por në pjesën më të madhe të rasteve, atyre iu mohohet.
/abcnews.al