Polonia akuza Rusisë: Shkeli hapësirën ajrore

schedule15:30 - 24 Mars, 2024

schedule 15:30 - 24 Mars, 2024

Rusia shkeli hapësirën ajrore të Polonisë të dielën në orët e para të mëngjesit me një raketë kruz të drejtuar ndaj objektivave në Ukrainën perëndimore, thanë forcat e armatosura të Polonisë.

Rusia lëshoi 57 raketa dhe dronë kundër Ukrainës në orët e hershme, përfshirë një sulm në Kiev dhe rajonin perëndimor të Lvivit pranë kufirit polak.

“Më 24 mars në orën 4:23 të mëngjesit ka pasur një shkelje të hapësirës ajrore polake nga një prej raketave kruz me rreze të gjatë veprimi të lëshuara gjatë natës nga aviacioni i Federatës Ruse”, thanë forcat e armatosura polake në platformën e mediave sociale X.

“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow (Vojvoda e Lublinit) dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai po vëzhgohej nga sistemet e radarëve ushtarakë”.

Ministria e Jashtme polake synon të thërrasë ambasadorin rus për sqarime për shkeljen e hapësirës ajrore, tha zëvendësministri i jashtëm Andrzej Szejna për televizionin privat Polsat Neës.

Polonia i bën thirrje Rusisë “të ndalojë sulmet ajrore terroriste mbi banorët dhe territorin e Ukrainës, t’i japë fund luftës dhe të merret me problemet e brendshme të vendit”, tha zëdhënësi i ministrisë në një deklaratë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!