Politikë e jashtme feministe, dëshirë apo realitet?

schedule15:59 - 8 Mars, 2022

schedule 15:59 - 8 Mars, 2022

Qeveria gjermane për herë të parë angazhohet hapur për një politikë të jashtme feministe. Kryediplomatja Annalena Baerbock e ka vënë në qendër këtë temë tani në hijen e luftës. Mbi qasjen feministe në politikë më 8 Mars.

Aty ku ka luftë, politika e jashtme feministe duket në vështrim të parë një mjet i kufizuar kundër atyre që luftojnë. Në fund të fundit objektivi më i lartë i një politike të jashtme është që gjërat të mos vijnë kurrë deri tek lufta. Por në të njëjtën kohë qasjet feministe në situata konflikti po marrin peshë, sepse janë pikërisht gratë që në situata të tilla kanë nevojë për mbrojtje të veçantë.

Në Gjermani për këtë temë si asnjë tjetër më parë angazhohet ministrja e re e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit/Aleanca/90). Qoftë në Donbas apo në konferencën e shtypit në Egjipt, kryediplomatja 41 vjeçarja, vetë nënë e dy fëmijëve flet demonstrativisht edhe si grua. Kjo perspektivë është kthyer ndërkohë në një pjesë të rëndësishme të fjalimeve të saj. Në vizitat e saj ajo takon shpesh në fillim gratë, dhe organizatat aktive në terren, para se të ulet në në një tryezë me përfaqësuesit meshkuj të qeverive në një tryezë.

Ministrja e Jashtme i vë përballë “narrativit të zonave gjeopolitike të influencës të shteteve të fuqishme pa asnjë hezitim edhe një narrativ tjetër, narrativin e të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore”, shprehet politikanja për çështjet e mbrojtjes, Agniezska Brugger. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih së fundmi, Baerbock e përkufizoi marrëveshjen e Minskut edhe në konteksin e politikës së jashtme feministe. “Ajo nuk është vetëm një format negociimi, apo format teknik”. Bëhet fjalë për “sigurinë e njerëzve. Bëhet fjalë, nëse familjet, fëmijët në mes të Europës, në mesin e Europës, rriten të sigurtë dhe në paqe”, tha Baerbock dhe citoi nënat që kishte takuar në fillim të shkurtit në Donbas. “Vetëm kur femrat të jenë të sigurta, jemi ne të gjithë të sigurtë.”

Siguria në duart e gruas
Edhe në marrëveshjen e koalicionit qeveria gjermane shprehet qartë për një politikë të jashtme feministe. “Së bashku me partnerët tanë ne duam në kuptimin e një politike të jashtme feministe të forcojmë të drejtat, kapacitetet dhe përfaqësimin e grave dhe vajzave në të gjithë botën dhe të nxisim diversitetin shoqëror.” Për këtë arsye synohet të emërohen “më shumë gra në pozicione drejtuese ndërkombëtare.”
Përkatësisht në qeverinë e re gjermane të gjitha postet e lidhura me sigurinë janë tanimë në duart e grave. Ministria e Jashtme, e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme janë në duart e grave, po ashtu edhe e ngarkuara për Bundeswehrin, dhe drejtuesja e komisionit parlamentar të mbrojtjes.
Por qëllimi nuk është tek personeli. Përgjegjës për më shumë politikë të jashtme feministe në Ministrinë e Jashtme është një burrë, Tobias Lindner nga Të Gjelbrit. “Kjo nuk duhet të mbesë vetëm një temë për gratë. nuk bëhet fjalë për zënien e posteve me gra, por për atë që të bëhet e qartë perspektiva e gruas në konflikte, dhe këtë e ka detyrë një burrë”, komenton Brugger.
“Çështja nuk është se tani që po vijnë gratë dhe ka më pak kriza, kjo do të ishte naive”, thotë kryetarja e komisionit parlamentar të mbrojtjes në Bundestag, Agnes-Marie Strack-Zimmermann. Konflikti në Ukrainë nuk mund të zgjidhet shpejt nga gratë, por kjo nuk ndryshon asgjë në atë që “në apektin e politikës botërore duhet të mos ketë vetëm një perspektivë të burrit”.

100 vite me hapa të vegjël

Nocioni “politikë e jashtme feministe” nuk është i ri. “Atë e gjen që në vitin 1915, kur 1200 gra në Hagë u bashkuan dhe nuk kërkuan vetëm fundin e Luftës së Parë Botërore, por vendosën edhe 20 rezoluta”, thotë Kristina Lunz, themeluese e Qendrës për Politikën e Jashtme Feministe, (CFFP) dhe autore e librit “E ardhmja e politikës së jashtme është feministe.”

Deri më tani janë përmbushur shumë pak kërkesa. Lunz thotë, se është e kuptueshme që Gjermania rrit shpenzimet e armatimit, por kërkon në të njëjtën kohë forcimin e duhur të organizatave për të drejtat e njeriut.

Deri para pak vitesh qasja feministe “është përqeshur si naive”, thotë Agnes-Marie Strack-Zimmermann. Edhe unë madje nuk kam besuar, thotë ajo. Tani Strack-Zimmermann është e bindur se një politikë e jashtme feministe do të thotë një botë më të sigurtë për fëmijët tanë dhe nipërit tanë.

Feminizëm nuk do të thotë “kundër burrit”

Gjermania për një kohë të gjatë nuk e pati në fokus intensivisht një politikë të jashtme feministe dhe kjo lidhet me brezat, thotë Agnes-Marie Strack-Zimmermann. “Më parë shumë burra nervozoheshin sapo dëgjonin fjalën feminizëm, sepse feminizmi në brezin tim do të thoshtë “kundër burrit”. Por tek më të rinjtë arriti të zerë vend perspektiva e femrës. “Ka rëndësi të kuptosh, se në një luftë nuk bëhet fjalë për atë, se kush e ka armën më të fortë e më të madhe, por se çfarë ndodh me njerëzit, me burrat që shkojnë në luftë, me ata që mbesin në shtëpi e duan të bëjnë një jetë normale”, thotë politikanja liberale 63 vjeçare.

Ishin gratë ato që e akuzuan “gruan më të fuqishme” të botës, Angela Merkel, se nuk bën shumë për femrat. Vërtet që në fund të jetës së saj politike, kancelarja Merkel e përkufizoi veten si feministe, por kjo duket se ishte një rrugë e gjatë, edhe për të. Megjithatë në shkallë ndërkombëtare Merkel ishte fytyra e gruas. Këtë e tregon në mënyrë simbolike edhe fotoja e fundit e G20-s. Në fund kancelarja Merkel përfaqësoi si gruaja e vetme vendet e G20-s. Tani gratë duhet të luftojnë njëherë që të futen sërish aty./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!