Politikania që mundi kancerin e frymëzon gratë: U preka në moshën 33-vjeçare, ishte rrugëtim i vështirë

schedule09:40 - 16 Tetor, 2023

schedule 09:40 - 16 Tetor, 2023

TIRANË- Jeta të vendosë mes shumë sfidash, por guximi për t’u përballur dhe tejkaluar ato është shenjë që e gjen vetëm tek gratë e fuqishme.

Ky është rasti i Arbela Statovcit, një shqiptare nga Kosova, e cila falë diagnostikimit në kohë ka fituar betejën me kancerin e gjirit.

Ajo ka marrë pjesë në një festival në Kosovë, i cili kishte në fokus rritjen e vetëdijes tek gratë për t’u kujdesur për shëndetin e tyre.

“Isha vetë e prekur prej kancerit të gjirit dhe kisha dëshirë të ndihmoj në Kosovë. Është rëndësi shumë e madhe me fol për kancerin hapur, sepse nuk është turp”, tha ajo.

Gjatë një interviste për ABC e Mëngjesit, Statovci tregoi si e zbuloi që ishte prekur me kancerin e gjirit në moshën 33-vjeçare, por falë kujdesit dhe veprimit në kohë, ajo sot gëzon shëndet të plotë pranë të dashurve.

“Në 2021 u ktheva në Zvicër me një projekt të punës dhe ka qenë shumë rastësi që e kam hetuar nyjën në gjirin e majtë. Isha duke u përgatitur për të fjetur, ka qenë pak shokuese se nuk e dija se çfarë do të thoshte ajo nyje. Shkova tek mjeku, pas katër ditësh kuptova se isha me kancer dhe ka qenë një rrugë shumë të vështirë, me kimioterapi, që ta lodhin trupin dhe ta çojnë në zero. Kemi vazhduar me operacionin, që më kanë hequr gjysmën e gjirit ku ka qenë kanceri dhe kemi vazhduar me terapinë e rrezatimin për dy muaj. Trajtimi i fundit ka qenë në marsin e kaluar. Kështu nuk është larg që ka ndodhur ky rast dhe sot jam në rregull me pak efekte anësore që mundohem të mos i shfaq në sipërfaqe. Vetëdijesimi është i rëndësishëm, sa më herët aq më mirë. Duhet ekzaminimi te mjeku. Në Zvicër janë 16 gra që preken çdo ditë nga kanceri i gjirit” ”, tha ajo në Abc News.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!