Studion për shkenca politike, por ndërkohë ka nxjerrë nga dheu dhe ka perfeksionuar një zanat gati krejt të harruar…
Dikur një mulli si ky kishte në të gjithë fshatin Fishtë. Tani, tradita është rikthyer falë ideve të një 20-vjeçari lezhjan, i cili është bërë një mjeshtër i vërtetë i mullinjve të punuar krejtësisht me dorë. Petrit Lleshi është vetëm 20 vjeç, por idetë e mendimet e tij janë si të një njeriu me eksperiencë të gjatë jetësore, sidomos kur vjen puna te biznesi.
Ai përfitoi nga zanati i dikurshëm i të atit, për t’ia vjedhur e për ta kthyer në një biznes fitimprurës. Nisi si kureshtje për të mësuar një zanat të vjetër, por tani Petriti është kthyer në një sipërmarrës, ndoshta sipërmarrësi me i vogël në moshë në zonën e tij e jo vetëm.
Edhe pse viti që lamë pas ka qenë një vit i vështirë për bizneset, Petriti thotë se interesi i njerëzve për punën e tij nuk ka munguar. Por edhe pse biznesi po ecën mjaft mirë, prindërit përsëri këmbëngulin te diploma e shkollës së lartë.
Për babain e Petritit, zotin Ndue është nder që djali i tij ka trashëguar zanatin. Të rinjtë si Petriti që vlerësojnë mundin e prindërve dhe ua shpërblejnë atyre, duke ndjekur shkollën e duke qenë një sipërmarrës i suksesshëm në të njëjtën kohë, janë vërtetë një bekim…
/abcnews.al


