Edhe autoritetet më të larta të shtetit dhe politikës në Tiranë kanë përcjellë mesazhet e urimit për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në ditën e 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, politika shqiptare ka shprehur urimet e saj të rastit. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një kujtim të veçantë, dy fotografi të shkrepura në zyrën e kongresmenit Eliot Engel, kryetar i komisionit për politikën e jashtme në kongresin amerikan.
Në njërën nga fotot shfaqet kreu i shtetit shqiptar, teksa sheh një kopje të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në murin e zyrës se kongresmenit amerikan. “Kujtim të paharrueshëm”, e quan presidenti momentin e kapur në foto.
Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, mesazhin e tij të mëngjesit e nisi me urimin për ditëlindjen e shtetit të Kosovës, duke i uruar të gjithëve një të djelë të bukur.
Ministri për Diasporën, ish-kryeministër i Shqipërisë gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, ka uruar gjithashtu 11-vjetorin e Pavarësisë së shtetit kosovar, me foton e heroit kombëtar Adem Jashari dhe mesazhin, “Të gjithë dhanë diçka, por dikush i dha të gjitha”.
Një urim 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ia dedikoi edhe kryeopozitari Lulzim Basha, i cili e quan atë arritjen më të madhe kombëtare të historisë së shqiptarëve.
“Sot është dita për të kujtuar me krenari dhe mirënjohje të thellë kombëtare të gjithë ata që për dekada punuan dhe sakrifikuan për këtë arritje – shkruan Basha – si amanet që me vendosmëri të vijojmë rrugëtimin e përbashkët në mbrojtjen dhe fuqizimin e pavarësisë, sovranitetit dhe vlerave të së ardhmes euro-atlantike të Kosovës.
Për ish-kryeministrin Sali Berisha, Pavarësia e Kosovës, vepër e gjeniut politik të kombit, Ibrahim Rugova, komandantit Adem Jashari dhe aleatëve me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fton shqiptarët të përulen me nderimin më të thellë përpara qindra mijëra bijëve dhe bijave që vendosën në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, jetën dhe rininë e tyre.
“Por sot – shkruan Berisha – pas 11 vitesh liri dhe pavarësi, Kosova përballet me rrezikun e coptimit të trojeve të saj nga ata që kanë marrë në dorë flamurin e serbisë së madhe dhe tregtojnë territoret e saj”.
Ky qëndrim, antikombëtar për ish-kryeministrin, është një kushtrim për çdo shqiptar për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës prej tyre./abcnews.al