Politika e zgjerimit nuk ka patur asnjëherë kaq shumë kundërshtime

schedule12:30 - 19 Qershor, 2019

schedule 12:30 - 19 Qershor, 2019

Politika e zgjerimit nuk ka patur asnjëherë kaq shumë kundërshtime siç po ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu deklarojnë  katër ish-ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Greqisë, Qipros dhe Bullgarisë.

Katër ish-ministra të jashtëm i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian që të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një komunikatë të përbashkët, ish shefat e diplomacisë së Shqipërisë, Bullgarisë, Qipros dhe Greqisë, nënvizojnë se pranimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të thotë t’i bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë projektit europian.

“Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të Bashkimit Evropian, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE-së”.

Ish-ministrat e Jashtëm ia drejtojnë apelin e tyre në veçanti dy shteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

“I bëjmë thirrje kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende”.

Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është këshilla e katër ish-ministrave të Jashtëm, midis të cilëve është edhe ish-ministri Ditmir Bushati./ABC News Albania 24/7