Shërbimet e inteligjencës perëndimore zbuluan se Rusia po përdorte një agjent serb për të depërtuar në organet e BE-së dhe për të përhapur një narrativë rreth pushtimit të Ukrainës. Kështu raporton Politico, duke cituar raportin nga informimi i oficerëve të inteligjencës perëndimore, ku theksohet se shtetasi serb Novica Antiç, ka bashkëpunuar ngushtë me agjencinë ruse të sigurisë FSB.
Sipas dokumenteve, ai zhvilloi takime me zyrtarë evropianë në Bruksel, dhe në veçanti me anëtarë të Parlamentit Evropian. Këta eurodeputetë përfshinin ligjvënësen gjermane të të Gjelbërve Viola von Cramon-Taubadel, ligjvënësen italiane të socialistëve dhe demokratëve Alessandra Moretti dhe Vladimír Bilčík, një anëtar sllovak i Grupit konservator të Partisë Popullore Evropiane.
Antiç u takua gjithashtu me përfaqësues të Organizatës Evropiane të Shoqatave Ushtarake dhe Sindikatave (EUROMIL) dhe Federatës Evropiane të Sindikatave të Shërbimit Publik (EPSU), të cilat përfaqësojnë anëtarët e forcave të armatosura dhe nëpunësit civilë në Bashkimi Evropian.
I pyetur për takimin me Antiçin, një zyrtar i EPSU-së tha se delegacioni i sindikatës së Antiçit ishte në Bruksel në tetor, ku u takuan me disa deputetë dhe të gjithë ishin transparent dhe se biseduan vetëm për të drejtat sindikaliste.
Raporti i inteligjencës perëndimore thekson gjithashtu se Antiç është një “agjent ndikimi” aktiv për Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, i njohur si FSB, se ai punon ngushtë me bashkëpunëtorin e FSB-së Vyacheslav Kalinin, një shtetas rus dhe kryeredaktor i një faqeje mediatike, i specializuar në lajme për veteranët e forcave të armatosura./abcnews.al