Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ishte sot në Velipojë në një takim me fokus masat për turizmin, mbrojtjen e mjedisit dhe luftën antikanabis nga ku theksoi se goditja e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike është në fokusin e Policisë së Shtetit e do vijojë pasi kjo nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Lleshaj vuri theksin tek goditja në dy fronte, e atyre që merren me kultivim dhe trafik si dhe zyrtarëve përgjegjës në disa institucione e instanca shtetërore.
“Një njollë që Shqipëria e mban prej kohësh ta zhbëjmë se nuk është e ardhmja e Shqipërisë e shqiptarëve marrja me këtë krim”, theksoi ministri.
“Ajo që ka të bëjë me luftën kundër kanabisit. Nuk kam patur kohë të shihja mediat sot. Miku im Bujar Kapexhiu më paraqiste me një kosë duke korrur kanabisin. Thashë që ta tematizoj kanabisin, pasi mbetet një sfidë e madhe.
Karikatura është arti që i zmadhon gjërat. Unë besoj që Shqipëria nuk është në atë gjendje, dhe ka tentative për ta zhytur në gjendje të papërshtatshme. Lufta kundër kanabisit mbetet një sfidë e madhe për të gjithë aktorët në këtë vend.
Deviza ime si ministër i Brendshëm është që lufta të vazhdojë. Policia do vijojë luftën me kriminelët që kryejnë trafik të lëndëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë të administratorëve. Ka përgjegjësi policia, IKMT-ja, autoritetet vendore, subjektet provat.
Detyra e policisë është të kosisë kriminelë dhe zyrtarë që nuk bëjnë detyrën dhe nëse kthehem te karikatura. Do të jetë një kosë që do të presë zyrtarë që nuk bëjnë detyrën e tyre”, tha Lleshaj./abcnews.al