Katër persona u arrestuan pas kapjes së kamionit me kokainë në Maqedoninë e Veriut, i cili kaloi përmes dy doganave shqiptare, atë të Hanit të Hotit dhe më pas të Qafë Thanës.
Policia e Shtetit ka njoftuar se është realizuar me sukses operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës. Në njoftimin e saj Policia bën me dije se në kuadër të operacionit kundër trafikimit të drogës në bashkëpunim me strukturat maqedonase morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, ku u bë i mundur edhe realizimi i operacionit.
Reagimi:
Në përgjigje të interesimit të disa mediave, njoftojmë se Policia e Shtetit ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.
Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.
Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë.
Lexo edhe: Dalin fotot, ku ishte fshehur sasia rekord e kokainës në kamionin që kaloi në Shqipëri