Ditën e sotme shemben banesa të tjera në zonën e “5 Majit” në Tiranë. Banorët janë lajmëruar se do të ketë ndërhyrje, ndërsa pritet që nga momenti në moment të nisë shembja.
Banorëve të ‘5 majit’ në njësinë numër 4 të cilëve do u shembet shtëpia, u janë bashkuar për t’i mbështetur edhe banorët e njësisë numër 8. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, për të qenë në gatishmëri.
Shumë banorë janë duke bërë rezistencë, pasi refuzojnë të dalin nga shtëpitë. Policia ka rrethuar zonën që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, teksa është njoftuar se do të kishte të tjera shembje. Prej javësh banorët kanë protestuar kundër shembjes së banesave. Ata preken nga projekti i ri i rindërtimit, por edhe unazës së madhe. Banorët kanë kërkuar transparencë se çfarë do të ndodhë me pronat e tyre.
Sakaq, protestës së tyre i janë bashkuar edhe banorë nga zona të tjera Kombinatit, Paskuqanit, dhe Laprakës, të cilët kanë të njëjtin fat. Në protestën e fundit para Kryeministrisë ata paralajmëruan përshkallëzim dhe madje grevë urie. g.v/abcnews.al