Policia polake arreston dy deputetë brenda Pallatit Presidencial

schedule07:17 - 10 Janar, 2024

schedule 07:17 - 10 Janar, 2024

Policia polake arrestoi ish-ministrin e Brendshëm dhe ish-zv.ministrin e Brendshëm brenda Pallatit Presidencial në Varshavë, në një ditë të një teatri politik të paprecedentë, raporton “BBC”.

Mariusz Kaminski dhe Maciej Wasik janë dënuar me nga dy vjet burgim muajin e kaluar për abuzim me pushtet në kohën kur ata kishin drejtuar zyrën anti-korrupsion në vitin 2007.

Pas arrestimeve, ministri i ri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, shkroi në platformën “X”: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”. Arrestimet kanë vënë në pah trazirat politike mes partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) dhe koalicionit të ri pro-BE.

Dy të arrestuarit, që u zgjodhën deputetë nga radhët e PiS në tetor, refuzuan të njihnin vendimin e gjykatës të marrë muajin e kaluar, pasi presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, një aleat i PiS, i kishte falur ata në vitin 2015. Duda po ashtu tha se ai nuk e njeh vendimin e gjykatës, pasi insiston se vendimi i tij për t’i falur Kaminskin dhe Wasikun mbetet valid.

Të hënën mbrëma, gjykata lëshoi urdhër arrest për dy deputetët.

Përkundër kësaj, Duda ftoi të dy në Pallatin Presidencial në Varshavë të martën në mëngjes për të marrë pjesë në një ceremoni.

Disa orë më vonë, ata dolën nga Pallati për të folur shkurtazi për gazetarët. Kaminski tha se do të jenë “të burgosur politikë” nëse ata arrestohen dhe falënderoi Dudan për përkrahjen,

“Ne po përballemi me një krizë shumë serioze shtetërore. Po krijohet një diktaturë”, tha Kaminski.

Më pas u kthyen brenda pallatit, ku ndodhi teatri politik.

Disa momente më vonë, kryeministri Donald Tusk në konferencë për media tha se situata është “e jashtëzakonshme”. Ai tha se vendimi i gjykatës duhet respektuar dhe akuzoi presidentin Duda se ndihmoi burrat të ikin nga drejtësia.

Pas arrestimeve, disa qindra përkrahës të partisë PiS protestuan jashtë pallatit për të përkrahur të arrestuarit.

Vitin e kaluar, Gjykata Supreme e Polonisë vendosi se falja që bëri Duda në vitin 2015 nuk është valide, pasi ishte bërë derisa burrat kishin apeluar vendimin kur u shpallën fajtorë. Duda ka kundërshtuar këtë dhe insistoi se falja është valide.

Për të komplikuar gjërat, Tribunali Kushtetues dhe dhoma e re e Gjykatës Supreme, të dyja të mbushur me gjyqtarë të nominuar nga PiS, vendosën në favor të Dudas.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!