Policia e Shtetit ka bërë publik bilancin e punës për muajin gusht, një periudhë intensive për shkak të sezonit turistik dhe fluksit të lartë të qytetarëve brenda dhe jashtë vendit. Gjatë këtij muaji, strukturat policore kanë finalizuar 90 operacione në luftën kundër krimit, ndërsa janë arrestuar 664 shtetas për vepra të ndryshme penale, nga të cilët 61 ishin në kërkim.
Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë janë zhvilluar 22 faza të operacioneve të koduara “The Wanted” dhe “Operacionalja”, të cilat kanë çuar në lokalizimin dhe kapjen e disa të kërkuarve me rrezikshmëri të lartë. Ndërkohë, janë asgjësuar mbi 23 mijë bimë dhe fidanë narkotikë dhe janë sekuestruar rreth 340 kilogramë kanabis, 2 kilogramë kokainë, qindra doza droge të përpunuar dhe dhjetëra armë zjarri, granata dhe armë të ftohta.
Policia ka zbardhur 10 ngjarje të rënda kriminale si vrasje, plagosje dhe shkatërrim prone me eksploziv, ndërkohë që ka parandaluar disa ngjarje të tjera të mundshme që do të rrezikonin jetën e qytetarëve. Gjithashtu, gjatë muajit gusht janë sekuestruar pasuri të paligjshme me vlerë 26.5 milionë euro dhe mbi 6.2 milionë euro para cash, si dhe medikamente të kontrabanduara me vlerë dhjetëra mijëra euro.
Në vijim të operacioneve në terren janë goditur disa raste të kontrabandës, trafikimit të armëve, narkotikëve dhe emigrantëve, si dhe janë ndëshkuar raste të shfrytëzimit të prostitucionit dhe organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Në të gjithë vendin janë bllokuar mbi 120 mjete lundruese që rrezikonin sigurinë e pushuesve, ndërsa janë proceduar dhjetëra shtetas për zjarrvënie të qëllimshme ose nga pakujdesia. Pesë efektivë të policisë mbetën të lënduar gjatë operacioneve për menaxhimin e zjarreve.
Policia Rrugore ka duke ndaluar 244 drejtues mjetesh, nga të cilët 166 për drejtim nën efektin e alkoolit dhe 78 për mungesë të lejes së drejtimit. Janë pezulluar mbi 230 leje drejtimi dhe janë vendosur mbi 112 mijë masa administrative për shkelje të normave të shpejtësisë.
Policia e Shtetit bën me dije se janë marrë masa për mbarëvajtjen e aktiviteteve të rëndësishme si Festa e Birrës në Korçë dhe pelegrinazhi në malin e Tomorrit, ndërsa u është ofruar ndihmë 115 qytetarëve që u gjendën në vështirësi gjatë pushimeve, përfshirë edhe 8 fëmijë të humbur që janë kthyer te familjarët e tyre.
Në përfundim, Policia e Shtetit garanton qytetarët se mbetet e angazhuar maksimalisht për të rritur sigurinë publike dhe për të goditur çdo veprimtari të paligjshme në territorin e vendit.


