Policia ka shtuar kontrollet në zonën e Fushë Krujës pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas.
Në fokus të kontrolleve të policisë, janë autoveturat luksoze dhe me xhama të zinj. Forcat e komisariatit të Policisë së Krujës, të mbeshtetura nga forcat speciale po patrullojnë në akset që përshkojnë këtë qytet.
Ndërkohë, disa grupe të lëvizshme të “Shqiponjave” dhe FNSH janë në patrullim në të gjitha rrugët dytësore dhe rurale duke bërë kontrolle të befasishme në disa automjete të dyshimta.
Deri më tani, për vrasjen e Bejtjas është arrestuar Ilir Beqaraj alias Brahimi dhe u shoqërua Edison Haxhiu. I arrestuari, Brahimi është kushëri i Ylli Brahimit. Ylli Brahimi raportohet se është njeri i afërt i Ervis Martinajt.
Ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja u ekzekutua pasditen e 15 marsit brenda rrethimit të banesës së tij në Larushk të Fushë-Krujës./abcnews.al