Policia malteze arreston biznesmenin si i përfshirë në vrasjen e gazetares

schedule10:15 - 20 Nëntor, 2019

schedule 10:15 - 20 Nëntor, 2019

Policia e Maltës arrestoi një nga biznesmenët më të mëdhenj të vendit, të Mërkurën, pas hetimeve për  vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.

Yorgen Fenech u arrestua pasi policia ishte në ndjekje të tij. Ai ishte duke u arratisur me Jahtin e tij luksoz, pak para agimit. Policia me shpejtësi arriti të kapte Jahtin dhe e detyroi të kthehej në port.

Fenech është një drejtor dhe bashkëpronar i një grupi biznesi, që fitoi një koncesion të madh energjie në 2013 nga shteti Maltez, për të ndërtuar një termocentral të gazit në ishull.

Arrestimi i tij erdhi një ditë pasi qeveria i premtoi një prej të dyshuarve, si të përfshirë në vrasjen e gazetares,  se do t’i ofronte faljen për vrasjen e Caruana Galizia nëse ai tregonte kush e kishte urdhëryar krimin.

Ndërmjetësi besohet të ketë bashkëpunuar duke treguar të gjithë personat e përfhsirë në vrasjen e gazetares përfshirë këtu edhe ata që kishin siguruar lëndën shpërthyese e cila i mori jetën gazetares së njohur.

Më herët autoritetet maletze njoftuan se lënda shpërthyese që u përdor në vrasjen e gazetares ishte siguruar në Shqipëri nga eksponentë të krimit të organizuar. /abcnews.al