Policia Kufitare në Rinas këtë të hënë ka ndaluar dy goca të cilat janë kapur me një sasi të konsiderushme parash të padeklaruara me vete.
Abcnews.al mëson se 20 vjeçarja e proceduar penalisht ka qenë e shoqëruar dhe me një vajzë tjetër, të cilës po ashtu i janë gjetur dhe sekustruar një sasi e konsiderueshme parash të padeklaruara.
20 vjeçarja I. K. e cila është kapur me 12 450 euro në çantë ka deklaruar para grupit hetimor se nuk e dinte se duhej ti deklaronte paratë dhe se me ato po shkonte jashtë për shopping.
Rinas:
Policia Kufitare e Rinasit parandalon një tjetër rast të transfertës së parave jashtë shtetit, në mënyrë të kundërligjshme.
Sekuestrohen 12450 euro, procedohet penalisht një 20-vjeçare.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në dalje të RSH-së, si rezultat i masave shtesë qoftë në intervistimin për arsyen e udhëtimit apo edhe për kontrollin fizik dhe të bagazheve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë kontrolleve të ushtruara kanë përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë, 20-vjeçaren I. K., banuese në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shtetases së lartpërmendur iu gjetën në çantë 12450 euro, të padeklaruara në doganë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Policisë Kufitare në Rinas, materialet në ngarkim të kësaj shtetaseje i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarim i vlerave monetare në kufi”. /abcnews.al