Policia Rrugore e Tiranës ka hartuar një plan të ri masash për të parandaluar aksidentet rrugore. Kështu Policia Rrugore do të aplikojë edhe masat administrative për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e Qarkullimit Rrugor.
Sipas njoftimit të Policisë ky plan masash vjen pas konstatimit të aksidenteve të fundit, ku rezulton se ka një shtim të shkeljes së rregullave të qarkullimit nga këmbësorët.
Gjatë 24 orëve të fundit nga Policia Rrugore e Tiranës janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, janë pezulluar 32 leje drejtimi, si edhe janë vendour 61 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit.
Policia Rrugore e Tiranës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të Qarkullimit Rrugor që ata hasin gjatë përditshmërisë.
Ja plani i ri i masave të Policisë
Planimetria e vendosjes së shërbimeve,
Mënyra e kombinimit të radarëve në akset rrugore të brendshme por edhe në akset nacionale që lidhen me Tiranën me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara,
Koordinimi i shërbimeve me Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat duke evidentuar dhe ndëshkuar në kohë, në çdo aks rrugor shkelësit e Kodit Rrugor ,
Kontrolli në mënyrë të pandërprerë me aparatin “Drager” për parandalimin e përdorimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.
Vendosje e shërbimeve të Policisë Rrugore apo të Patrullave të Përgjithshme, në vendkalimet për qytetarët në pikat ku ka më shumë lëvizje të qytetarëve, por pa lënë jashtë vëmendjes edhe pikat e tjera, me qëllim monitorimin, këshillimin dhe orientimin e qytetarëve për të respektuar rregullat e Qarkullimit Rrugor.
Pas një periudhe të caktuar sensibilizuese e ndërgjegjësuese, Policia Rrugore do aplikojë edhe masat administrative për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e Qarkullimit Rrugor./abcnews.al