Drejtori i Rendit Publik në Departamentin e Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Albert Dervishi, në prononcim për mediat për masat e Policisë së Shtetit gjatë natës së ndërrimit të viteve.
“Jemi sot para natës së ndërrimit të viteve dhe me këtë rast Policia e Shtetit dëshiron edhe njëherë të vendosë këtë komunikim me qytetarët shqiptarë, lidhur me masat që ajo ka planifikuar me qëllim, krijimin e një mjedisi të sigurtë për ta, parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale në të gjithë territorin e vendit, rritjen e sigurisë në akset kryesore rrugore, kryerjen e veprimeve efikase në parandalimin, zbulimin dhe goditjen e autorëve të veprave të ndryshme penale.
Për këtë qëllim, nga ana e strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, në veçanti sot është vlerësuar maksimalisht marrja e masave të sigurisë, për të përmbyllur me sukses misionin e tyre për garantimin e një feste të qetë dhe pa probleme, për rritjen e sigurisë në komunitet në të gjithë territorin e vendit, parandalimi i ngjarjeve të ndryshme kriminale, kontrrollin e plotë të territorit, nga të gjitha strukturat e policisë, të cilat vazhdojnë me shërbim 12 orësh, duke zbatuar detyrimet në kuadër të gatishmërisë “Shërbim i përforcuar”.
Për këtë, në shkallë vendi janë planifikuar në natën e ndërrimit të viteve punonjës policie në çdo qytet për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, pranë lokaleve dhe restoranteve të cilat do të organizojnë aktivitete të ndryshme gjatë festës së fundvitit etj.
Në veçanti nga DVP Tiranë, gjatë natës së ndërrimit të viteve janë planifikuar punonjës policie në terren, nga të cilët në Sheshin “Skëndërbej”, ku do të festohet nata e ndërrimit të viteve dhe ku Bashkia e Tiranës organizon koncertin festiv në orën 24:00, siguria është organizuar me një qasje të integruar të shërbimeve të Policisë së DVP Tiranë, të atyre të Policisë Bashkiake Tiranë, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të mbështetura nga njësitë e specializuara të Forcave Lëvizëse Operacionale.
Nga ana e strukturave të Kufirit dhe Migracionit, vazhdojnë masat me shtimin e posteve të punës në PKK, me qëllim kryerjen e procedurave të shpejta dhe krijimin e lehtësirave gjatë hyrje – daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.
Gjatë kryerjes së veprimeve në PKK nuk është shënuar ndonjë incident apo problem.
Kemi rritje të prezencës së policisë rrugore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore, si dhe e shërbimeve të rendit dhe të FNSH-së për parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale.
Në këtë natë të ndërrimit të viteve Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të jenë të kujdesshëm në:
Përdorimin e fishekzjarrëve, duke evituar përdorimin e tyre nga fëmijët.
Të evitohet përdorimi i kapsollave dhe lëndëve të tjera të rrezikshme të këtij lloji.
Nga ana e Policisë Bashkiake të Tiranës dhe bashkitë e tjera, është organizuar hedhja e fishekzjarrëve në mënyrë të kontrolluar në Sheshin Skëndërbej dhe sheshet përktëse në natën e ndërrimit të viteve.
Evitimin e alkoolit nga drejtuesit e automjeteve dhe nëse ata kanë përdorur pije alkoolike të mos përdorin automjetin.
Mbas orës 24 zakonisht ka një përdorim të madh të automjeteve në rrugë, për këtë kërkohet të evitohet sa të jetë e mundur dalja me automjete me qëllim parandalimin e bllokimit te rrugëve dhe të aksidenteve rrugore.
Shtetasit që do të festojnë në lokale, të marrin masa për sigurimin e banesave të tyre, me qëllim parandalimin e vjedhjeve te banesave.
Dita e sotme për familjet do të jetë e ngarkuar edhe me gatimet tradicionale. Kjo mund të ketë mbingarkesë në rrjet, si dhe gjatë përdorimit të bombulave të gazit të tregojnë kujdes lidhur me masat e mbrojtjes nga zjarri.
Subjektet e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike vazhdojnë me shërbime të përforcuara masat për sigurimin e objekteve si banka, institucione të tjera, hidrocentrale, depo uji etj, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të ndryshme kriminale në këto objekte.
Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë monituar masat e marra nga DVP dhe janë në monitorim të këtyre masave me grupe Drejtimi në DPPSH.
Policia e Shtetit dëshiron të sigurojë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që do të festojnë natën e ndërrimit të viteve në Shqipëri, se do të jetë pranë tyre për garantimin e rendit publik, të sigurisë së jetës së qytetarëve dhe të pronës së tyre.
Me këtë rast Policia e Shtetit uron të gjithë qytetarët Gëzuar Vitin e Ri, mbarësi dhe suksese për të gjithë”./abcnews.al