As policia dhe as prokuroria nuk kanë ende një version zyrtar mbi fatin e Ervis Martinajt pavarësisht kërkesës publike edhe nga vetë kryeministri Rama për “t’u thënë shqiptarëve se çfarë ka ndodhur me të”.
Deri më tani në media kanë qarkulluar versione të ndryshme mbi fatin e tij, ku njëri flet për kapjen dhe vrasjen e Martinajt nga kundërshtarët, ndërsa tjetri për një skenar nga vetë “mbreti i basteve”, megjithatë duhet një version zyrtar për t’i dhënë fund spekulimeve.
Martinaj ka qenë në kërkim nga policia për disa vepra penale, por sidomos pas dëshmisë së Nuredin Dumanit se kishte kërkuar vrasjen e Indrit Dokles kundrejt 500 mijë euro. Megjithatë, sipas një dokumenti të Policisë së Shtetit, ai ishte konfliktuar më herët me një person në Laç duke e rrahur dhe kanosur atë.
Në dokumentin e policisë jepen gjeneralitetet e Martinajt dhe të dhëna të tjera që bëjnë identifikimin e tij, por nuk tregohet për shembull se kush ishte personi i rrahur në tetor të vitit 2021 nga ai. /abcnews.al