Policia e Kosta Rikes kap një nëndetëse me 2 ton kokainë

schedule12:28 - 13 Maj, 2019

schedule 12:28 - 13 Maj, 2019

2 ton kokainë janë sekuestruar në një nëndetëse, 2 kolumbianë janë arrestuar ndërsa një i tretë është arratisur. Është ky bilanci i operacionit të policisë së Kosta Rikës në ujërat e Paqësorit. Nëndetësja ishte krijuar në mënyrë të tillë që të shmangte radarët.

Kosta Rika është një nga vendet që trafikantët e drogës e përdorin për transportimin e kokainës. Trafikantët e drogës për kontrabandën e pluhurit të bardhë përdorin dhe nëndetëse të vogla në të gjithë zonën e Amerikës qendrore.

Një mjet i tillë nënujor është gjetur nga agjentët e policisë së Kosta Rikës në Paqësor. Nëndetësja kishte në brendësi të saj 2 ton kokainë. Policia i ka vënë prangat dy kolumbianëve që komandonin nëndetësen të cilët mbetën të plagosur gjatë arrestimit.

Një person i tretë u arratis në malet e zonës. Nëndetëset e trafikantëve të drogës janë ndërtuar posaçërisht për transportin e drogës. Mjetet e para u realizuan në vitin 1993, dhe ishin gjysmë nëndetëse sepse nuk mund të zhyteshin totalisht nën ujë.

Ndërsa modelet e fundit e trafikantëve të drogës, përveç se zhyten totalisht nën ujë, janë ndërtuar për të mos u gjurmuar nga radarët dhe sisteme të tjera. Deri në vitin 2006, vit kur rojet bregdetare amerikane kapën një, mendohej se ekzistonin por askush nuk i kishte parë në të vërtetë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!